Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Revolja që nuk shkrepi tmerron Argjentinën

Zëvendëspresidentja argjentinase, Cristina Fernandez, i ka shpëtuar atentatit kur të dyshuarit nuk i shkrepi revolja, të cilën ia drejtoi afër fytyrës. Presidenti i Argjentinës e ka cilësuar si tentimvrasje. Atentati i dështuar ka shkundur Argjentinën, shtet me të kaluar të dhunës politike.

AP- Një person është arrestuar të enjten mbrëma kur tentoi ta vriste zëvendëspresidenten e Argjentinës, Cristina Fernandez. Ajo ka shpëtuar pasi atentatorit nuk i ka shkrepur revolja të cilën ia drejtoi në pak metra distancë.

Presidenti i shtetit latin, Alberto Fernandez, e ka cilësuar si tentimvrasje.

Në një adresim televiziv, presidenti argjentinas ka bërë të ditur se atentatori në revolen e tij kishte pesë plumba, por nuk shkrepën, ani pse ai e kishte tërhequr këmbëzën.

“Një burrë drejtoi armën në kokën e saj dhe e tërhoqi këmbëzën. Mirëpo nuk shkrepi, ani pse e tërhoqi këmbëzën”, ka thënë presidenti Fernandez.

Atentatori, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është arrestuar pak sekonda pas tentimvrasjes, teksa zëvendëspresidentja argjentinase shihet duke u përkulur nga frika. Motivet e këtij atentati të dështuar nuk janë bërë të ditura.

Edhe Gruaja nga Florida deklarohet e pafajshme për tentativë vrasjeje ndaj Rihannas Showbiz 3 muaj më parë Gruaja nga Florida deklarohet e pafajshme për tentativë vrasjeje ndaj Rihannas

Përkrahësit e zëvendëspresidentes, që prej javës së kaluar, janë tubuar para shtëpisë së saj kur një prokuror kërkoi 12 vjet burgim për Fernandezin e akuzuar për korrupsion në punët publike.

Situata është tensionuar në lagjen e të pasurve “Recoleta” që prej fundjavës kur përkrahësit e zëvendëspresidentes janë përplasur me policinë që e kanë rrethuar apartamentin e saj.

Fernandez, e cila nuk ka lidhje me presidentin aktual, Alberto Fernandez, edhe vetë ka shërbyer si presidente gjatë viteve 2007-2015.

Të premten, autoritetet e rendit kanë nisur hetimet nëse një shtetas brazilian ishte ai që tentoi vrasjen e zëvendëspresidentes së fuqishme argjentinase, apo nëse është pjesë e ndonjë organizate më të madhe.

Fernando André Sabag Montiel është shitës nëpër rrugët e Argjentinës që prej vitit 1998, ka bërë të ditur Ministria e Sigurisë.

Edhe Gruaja që gjuajti me armë drejt shtëpisë së Rihannas akuzohet për tentim vrasje Showbiz 4 muaj më parë Gruaja që gjuajti me armë drejt shtëpisë së Rihannas akuzohet për tentim vrasje

“Nuk ka hipoteza të konfirmuara”, ka thënë një zyrtar argjentinas, që nuk ka dashur të identifikohej sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për këtë rast. “është duke u hetuar gjithçka”.

Motiel nuk kishte të kaluar kriminale.

Atentati i dështuar ka shkundur Argjentinën, shtet me të kaluar të dhunës politike. Aleatët e Fernandez, ish-presidente, kanë bërë thirrje për marsh në qendër të Buenos Aires për të shprehur përkrahjen për të.

Hetuesit kanë bërë të ditur se i dyshuari ka përdorur revole Bersa të kalibrit 32 milimetra për ta vrarë Fernandezin.

Edhe Presidenti i Argjentinës gjuhet me gurë në Buenos Aires për shkak të një skandali korrupsioni Botë 10 muaj më parë Presidenti i Argjentinës gjuhet me gurë në Buenos Aires për shkak të një skandali korrupsioni

Gina De Bai, dëshmitare, e cila ishte afër zëvendëspresidentes në momentin e incidentit, ka thënë të ketë dëgjuar zhurmën e tërheqjes së këmbëzës së revoles. Ajo ka thënë se nuk e kishte kuptuar se ishte atentator deri në momentin kur i dyshuari u kap nga forcat e sigurisë.

Të premten janë mbyllur shkollat dhe shumë biznese i janë bindur thirrjes së presidentit që të pushojnë pas atentatit të dështuar ndaj zëvendëspresidentes.