Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Republikanët “vrasin” hetimet për dhunën në Capitol

Në votimin e mbajtur në Senat, 54 ligjvënës dolën kundër krijimit të Komisionit hetues derisa 35 syresh e mbështetën idenë. Duheshin 60 vota që të miratohej zgjedhja e dhjetë anëtarëve të këtij trupi, që do të ndaheshin barabar, sipas linjave partiake

Republikanët në Senat kanë bllokuar të premten krijimin e një paneli dypartiak për hetimin e sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit, duke i “vrarë” hetimet e pavarura në një demonstrim të qartë të besnikërisë për ish-presidentin Donald Trump dhe në përpjekje për ta larguar vëmendjen politike nga kryengritja e dhunshme e mbështetësve të tij.

Në votimin e mbajtur në Senat, 54 ligjvënës dolën kundër krijimit të Komisionit të pavarur hetues derisa 35 syresh e mbështetën idenë. Duheshin 60 vota që të miratohej zgjedhja e dhjetë anëtarëve të këtij trupi. Votimi u mbajt një ditë pas thirrjeve emocionale nga policia, e cila ishte përballur me protestuesit dhe nga ligjvënësit që ishin detyruar të iknin nga dhomat e Kongresit në ditën kur ndodhi sulmi më i madh ndaj pishtarit të demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjashtë senatorë republikanë janë shkëputur nga linjat partiake për të votuar në favor të Komisionit. Megjithëse numri i tyre ishte më i madh sesa që pritej, prapëseprapë ishte më i ulët se 10, sa duhej për kalimin e propozimit.

Ndonëse krijimi i Komisionit hetimor për 6 janarin ishte kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve në fillim të këtij muaji me mbështetjen e dhjetëra republikanëve, senatorët republikanë kanë thënë se besojnë që Komisioni në fund të fundit do të përdorej kundër tyre në aspektin politik.

Ndërkaq Trumpi, i cili ka ende ndikim të madh përbrenda partisë, e ka quajtur atë si “një kurth i demokratëve”.

Edhe Dhoma e Përfaqësuesve miraton ngritjen e komisionit hetimor për sulmet ndaj Kapitolit Botë Dhoma e Përfaqësuesve miraton ngritjen e komisionit hetimor për sulmet ndaj Kapitolit

Sulmi më i rëndë në Capitol ka ndodhur në kohën kur Kongresi ishte mbledhur për ta certifikuar fitoren e demokratit Joe Biden kundruall Trumpit në zgjedhje presidenciale të 2020-s. Katër persona kanë vdekur atë ditë, ndërsa polici i Capitolit, Brian Sicknick, ishte alivanosur dhe kishte vdekur pas ngjarjeve, në atë që autoritetet thanë se ishte vdekje nga shkaqet e natyrshme. Dy policë kanë kryer vetëvrasje pak ditë pas trazirave.

Votimi i së premtes është mbajtur pasi që nëna e Sicknickut, e dashura e tij dhe dy policë të tjerë, që janë përballur me protestuesit, u kanë adresuar thirrje republikanëve për ta mbështetur Komisionin.

Ndonëse fillimisht kishte bërë të ditur se është i hapur karshi idesë së Komisionit, i cili do të modelohej sipas hetimeve për sulmet terroriste të 11 shtatorit të 2001-s, lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, është ngritur fuqimisht kundër tij gjatë ditëve të fundit.

McConnelli, i cili kishte thënë njëherësh se Trumpi ishte përgjegjës për provokimin e sulmit të turmës në Capitol, ka theksuar se demokratët “do të dëshironin që të vazhdohet me gjykimin e ish-presidentit edhe në të ardhshmen”.

Megjithëkëtë, gjashtë bashkëpartiakë të tij e kanë sfiduar atë, duke argumentuar se rishikimi i pavarur i ngjarjeve është i nevojshëm.

Senatorja nga Alaska, Lisa Murkowski, ka thënë se duhet që të dijë më shumë rreth asaj çfarë kishte ndodhur atë ditë dhe pse.

“E vërteta është punë e zorshme, por ne kemi përgjegjësi për të”, ka thënë ajo para gazetarëve. “Nuk mund thjesht të shtiremi sikur asgjë nuk ka ndodhur apo se njerëzit thjesht janë zemëruar. Diçka e tmerrshme ka ndodhur. Andaj është me rëndësi që kjo të nxirret në pah”.

Edhe Trumpi, fajtor për sulmin ndaj demokracisë amerikane Botë Trumpi, fajtor për sulmin ndaj demokracisë amerikane

Në anën tjetër, presidenti amerikan, Joe Biden, i pyetur lidhur me Komisionin, ka thënë të enjten se “nuk mund ta marrë me mend se dikush mund të votojë kundër tij. Mirëpo senatori republikan nga Texasi, John Cornyn, i cili më herët e kishte mbështetur idenë, ka thënë të premten se tani beson se demokratët janë duke u përpjekur që ta përdorin atë si një mjet politik.

“Nuk mendoj se kjo është e vetmja mënyrë për t’i dalë në krye asaj çfarë ka ndodhur”, ka thënë Cornyn, duke cekur se komitetet e Senatit veçse janë duke i shqyrtuar rrethanat e bastisjes në Capitol.