Lufta në Ukrainë për reporterët e luftës dallon nga secila që e kanë mbuluar me parë. Ata i kanë thënë KOHËS së në këtë luftë nuk ka shumë informata dhe asnjëherë nuk dihet se cilat të dhëna janë të sakta ose jo. E ndryshim ka edhe në atë se si populli ukrainas është mobilizuar.
Alarmi i shoqëron që një muaj banorët e Lvivit të Ukrainës. Të martën është dëgjuar katër herë. Qytetarët e Lvivit tashmë janë mësuar me të.
E edhe gazetarët ndërkombëtarë që po i përcjellin zhvillimet në këtë qytet thonë se tashmë qytetarët kanë filluar të ambientohen me të.
Ndërtesa trekatëshe në qendër të qytetit e njohur si ‘Shtëpia e birrës’ është bërë shtëpi e gazetarëve ndërkombëtarë. Shumica prej tyre kanë përvoja të mëhershme të mbulimit të luftës.
Kjo qendër mundësohet nga Reporterët pa Kufij.
“Kam ardhur këtu ta mbuloj luftën që tri javë. Unë e mbuloj luftën me disa kolegë, ata janë në Maripol dhe Kiev. Ata kanë shkuar atje ndërsa unë kam qëndruar këtu, sepse është me sigurt dhe ndoshta ditët e ardhshme do të lëvizi në Kiev ose Mariopol”, ka thënë gazetari italian i LS7, Fabio Angelico.
Angelico nuk e ka për herë të parë raportimin nga lufta.
Ai ka eksperiencë të gjatë në mbulimin e luftërave në Lindjen e Mesme. Luftërat në këtë zonë me luftën në Ukrainë dallojnë shumë sipas tij.
“Lufta është gjithmonë e njëjtë kudo në botë. Por mendoj që këtu është ndryshe. Nuk e di saktësisht pse, por bazuar në përvojën time, është me ndryshe, sepse ka me shumë kamuflazhe, ka mbulesë. Kamuflazhi ka të bëjë me informatat, me gazetarët, propagandën. Realisht ju nuk e dini së çfarë po ndodh”, ka shtuar ai.
Christis Masanitus është gazetar grek. Në karrierën e tij ai ka mbuluar shumë luftëra. Por gjatë kësaj lufte thotë se ka qenë në rrezik që ta humb jetën.
“Kam qenë në Mariupol për gati një muaj i shoqëruar me kolegun tim, kameramanin. Kemi provuar që largohemi nga Maripoli qysh para dy javësh. Ka qenë shumë e vështirë. Nuk ishim në gjendje që të dalim nga aty. Na është dashur të udhëtojmë për dhjetë ditë për të qenë në gjendje t’u shmangemi postblloqeve ruse. Është mrekulli që kemi arritur të ikim”, ka thënë Masanitus.
Dallimi i kësaj lufte me luftërat e tjera sipas tij, ka të bëjë vetëm me atë se si shoqëria ukrainase është e mobilizuar.
Lvivi është qyteti kufitar i Ukrainës me Poloninë. Nga ky qytet nisi pjesa më e madhe e refugjatëve të qyteteve që tashmë janë bombarduar.