Botë

“Kurrë nuk kam parë ferr të tillë” – rrëfimi i rusëve në Ukrainë

Ushtarët u rrëfejnë nënave të tyre se si duket në të vërtetë lufta: për adoleshentin ukrainas të cilit ia prenë veshët. Se si zhurma më e frikshme nuk ishte vërshëllima e një rakete, por qetësia se ajo po vinte drejt jush. Se si armët moderne copëtojnë trupin sa nuk mbetet asgjë për të kthyer në vendlindje.

Një ushtar rus i tregon nënës së tij se ukrainasit e rinj që i vrau në fillim të luftës dukeshin fiks si ai. Një tjetër i rrëfen gruas se duhet të dehet për shkak se alkooli ia bën më të lehtë vrasjen e civilëve. I treti dëshiron që e dashura e tij ta dijë se pas krejt këtij tmerri, ai ëndërron që të jetë përkrah saj.

Më shumë se 2 mijë biseda telefonike të ushtarëve rusë në Ukrainë janë përgjuar dhe ofron pamje krejt të re të luftës njëvjeçare të Putinit. Ka mister njerëzor thellë në këto biseda të përgjuara: Si përfundojnë njerëzit e rritur me ndjenjën e të drejtës dhe të gabuarës duke pranuar dhe kryer akte të tmerrshme dhune?

Associated Press ka siguruar thirrjet telefonike të realizuara në marsin e vitit 2022 nga ushtarët e njësive të ndryshme ushtarake, që sipas prokurorëve ukrainas, kanë kryer krime në Bucha, qytetin në periferi të Kievit që në ditët e para të luftës u bë simbol i tmerrit rus.

Përgjimet tregojnë se sa të papërgatitur ishin ushtarët riosh – dhe shteti i tyre – për luftën që e kishin para syve. Shumë prej tyre iu bashkuan ushtrisë sepse kishin nevojë për para dhe ishin njoftuar për angazhimin në luftë vetëm në minutat e fundit. Atyre u ishte thënë se do të mirëpriteshin si heronj për çlirimin e Ukrainës nga nazistët dhe përkrahësit e tyre perëndimorë, dhe Kievi do të dorëzohej brenda një jave.

Përgjimet gjithashtu tregojnë se ushtarët e morën vesh se sa shumë ishin informuar gabim dhe çdo herë e më shumë ishin të frikësuar. Dhuna që dikur as që e mendonin u bë normale. Plaçkitja dhe dehja ofronte momente të rralla kënaqësie. Të paktën kështu thonë disa prej tyre.

Ushtarët u rrëfejnë nënave të tyre se si duket në të vërtetë lufta: për adoleshentin ukrainas të cilit ia prenë veshët. Se si zhurma më e frikshme nuk ishte vërshëllima e një rakete, por qetësia se ajo po vinte drejt jush. Se si armët moderne copëtojnë trupin sa nuk mbetet asgjë për të kthyer në vendlindje.

Dëgjohen nënat që dështojnë të fshehin krenarin dhe tmerrin teksa bashkëshortet dhe baballarët u luten që të mos pinë shumë. U luten që të thërrasin sa më shpesh në shtëpi.

Janë rrëfimet e tre ushtarëve – Ivanit, Leonidit dhe Maximit. Associated Press nuk ka përdorur identitetin e tyre të plotë për të mbrojtur familjet e tyre në Rusi. Agjencia e lajmeve është në dijeni se ata ishin të angazhuar në zonat ku besohet se janë kryer krime lufte, por nuk ka prova se ata janë fajtorë përveç atyre që rrëfejnë.

Associated Press ka folur me nënat e Ivanit dhe Leonidit, por nuk ka arritur të kontaktojë me Maximin apo familjen e tij. Të gjitha thirrjet telefonike janë të verifikuara nga Dossier Center, grup hetimor me bazë në Londër. Bisedat telefonike janë redaktuar për qartësi.

LEONIDI

Leonidi u bë ushtar, sepse i duheshin paratë. Nuk kishte borxhe dhe nuk donte të varej nga xhepi i prindërve.

“Thjeshtë nuk isha e përgatitur emocionalisht që fëmija im të shkonte në luftë në moshën 19-vjeçare”, ka thënë nëna e tij në janar. “Askush nuk kishte përjetuar diçka të tillë më parë, se fëmija juaj do të jetonte në kohën kur thjesht i duhet të shkojë në luftë”.

Nëna e Leonidit tha se Rusia duhet të mbrojë veten nga armiqtë. Mirëpo, si shumë të tjerë, ajo priste që Rusia të pushtonte me shpejtësi lindjen e Ukrainës. Në vend të kësaj, njësia e Leonidit mbeti përreth Buchas.

“Askush nuk e mendoi se do të jetë kaq e tmerrshme”, ka thënë ajo. “Djali im më tha vetëm një gjë: ‘Vetëdijen e kam të qartë. Ata hapën zjarr të parët’. Kjo është e gjitha”.

Në thirrjet telefonike është e qartë se ka mospajtime për mënyrën se si ajo e kishte rritur dhe ato që po bënte ai në Ukrainë. Mirëpo, vazhdon ta mbrojë të birin, duke insistuar se kurrë nuk u takua me civilët në Ukrainë.

Ajo ka thënë se gjithçka ishte e qetë, civile. Nuk kishte probleme në postblloqe. Asgjë e keqe nuk po ndodhte. Se lufta nuk e ndryshoi të birin e saj.

Nëna refuzon të dëgjojë përgjimet telefonike: “Kjo është absurde. Mos tentoni ta bëni sikur fëmija im vrau njerëz të pafajshëm”.

Vriti që të mos të të vrasin

Leonidi u prezantua me luftën më 24 shkurt kur njësia e tij hyri në Ukrainë nga Bjellorusia. Në kufi asgjësuan ukrainasit. Pas betejës së tij të parë, Leonidi duket se ka dhembshuri për ushtarët e rinj ukrainas, të cilët sapo i kishin vrarë.

Nëna: “Kur u frikësove?”

Leonidi: “Kur komandanti na paralajmëroi se do të kishte të shtëna, 100 për qind. Na paralajmëroi se do të bombardoheshim dhe se qëllimi ishte të avanconim”.

Nëna: “A qëlluan drejt jush?”

Leonidi: Natyrisht. U vetëmbrojtëm”

Nëna: “A keni qëlluar nga tanket tuaja?”

Leonidi: “Po. Qëlluam nga tanket. Qëlluam me mitraloz dhe automatikë. Nuk pësuam humbje. I shkatërruam katër tanke. Kishte trupa të vdekurish që po digjeshin. Pra, fituam”.

Nëna: “Çfarë tmerri! Lyonka, në ato momente a doje të jetoje, apo jo?”

Leonidi: “Më shumë se kurrë!”

Nëna: “Më shumë se kurrë, apo jo?”

Leonidi: “Natyrisht”.

Nëna: “është e tmerrshme”.

Leonidi: “Trupat e tyre janë këtu afër, 18 ose 19-vjeçarë. A jam ndryshe nga ata? Jo, nuk jam”.

Nuk ka më rregulla

Leonidi i rrëfen nënës se plani ishte që Kievi të pushtohej brenda një jave, pa përdorur plumb të vetëm. Në vend të këtij plani, njësia e tij luftoi afër Chernobylit. Nuk kishin hartë dhe ukrainasit kishin hequr të gjitha shenjat rrugore.

“Ishte shumë hutuese. Ata ishin shumë të përgatitur”.

Pasi nuk pritnin sulme më të gjata, ushtarët rusë mbetën pa gjësendet bazë. Mënyra e vetme që të siguronin çfarë kishin nevojë – ose dëshironin – ishte plaçkitja.

Shumë ushtarë, përfshirë Leonidin, flasin për paratë me dije të plotë të asaj se çfarë do të thotë të mos kesh mjaftueshëm. Shumë prej tyre marrin porosi nga shokët apo familjarët për këpucë të madhësive të ndryshme, apo pjesëve të automjeteve. Krenarë se do të ktheheshin me diçka që do t’ua dhuronin atyre.

Kur Leonidi i tregoi nënës për plaçkitjet, së pari ajo nuk mund të besonte. Mirëpo u bë diçka normale për ushtarin rus.

Teksa flet, shikon një qytet të djegur para tij.

“Çfarë bukurie”, thotë ai.

Leonidi: “Nënë, para vetes shoh shumë shtëpi – nuk e di, qindra – të gjitha janë të zbrazëta. Të gjithë kanë ikur”.

Nëna: “Pra të gjithë kanë ikur, apo jo? Ju ndoshta nuk jeni duke i plaçkitur? Nuk po shkoni nëpër shtëpitë e huaja?”

Leonidi: “Natyrisht se po shkojmë nënë. A je e çmendur?”

Nëna: “Oh, je duke plaçkitur. Çfarë po merrni aty?”

Leonidi: “Marrim ushqim, jorganë, jastëkë, lugë, pirunë”.

Nëna: (Qeshet) “Mos bëj hajgare me mua”.

Leonidi: “Kushdo që nuk ka – çorape, të brendshme, bluza”.

Të gjithë janë armiq

Leonidi i rrëfen nënës për tmerrin kur po patrullonte dhe se nuk dinin çfarë dhe kë do të takonin. Ai flet për përdorimin e armëve në provokimin më të lehtë ndaj çdo kujt.

Fillimisht, ajo nuk besonte se ushtarët rusë mund të vrisnin civilë.

Leonidi i thotë asaj se civilët ishin urdhëruar të largoheshin ose të qëndronin në bodrume, prandaj ata që ndodheshin jashtë nuk ishin civil të vërtetë. Ushtarëve rusë u ishte thënë nga Putini dhe të tjerët, se do të priteshin si çlirimtarë dhe se ata që rezistonin ishin fashistë, kryengritës – jo civilë të vërtetë.

Kjo ishte luftë e të gjithë shoqërisë. Mëshira ishte për dështakët.

Nëna: “Oh Lyonka, ke parë shumëçka atje!”

Leonidi: “Paj.. civilët janë nëpër rrugë me trutë që u kanë dalë jashtë”.

Nëna: “Oh Zot, dëshiron të thuash banorët?

Leonidi: Po, pra”

Nëna: “A janë ata që i keni vrarë ju apo të tjerët...”

Leonidi: “Ata që i ka vrarë ushtria jonë”.

Nëna: “Lyonya, ata kanë mundur të jenë njerëz paqësorë”.

Leonidi: “Nën, kishte betejë. Ata thjeshtë na dilni përpara, e di? Ndoshta do të nxirrte një lansues granatash... Ose e kishim një rast, një i ri që e ndalëm, e mori telefonin. Ai publikoi krejt informacionet për ne në Telegram – ku të bombardonin, sa ishim, sa tanke kemi. Kjo është e tëra”.

Nëna: “Pra ai dinte gjithçka?”

Leonidi: “U plagos fiks këtu”

Nëna: “Hmmm”.

Leonidi: “Ishte 17-vjeçar. Kjo është e tëra”.

Nëna: “Hmmm”.

Leonidi: “Ishte një i burgosur. 18-vjeçar. Së pari u qëllua në këmbë. Pastaj ia prenë veshët. Pas kësaj, ai pranoi gjithçka dhe ata e vranë”.

Nëna: “A e pranoi?”

Leonidi: “Nuk marrim të burgosur. Dua të them, i vrasim të gjithë”.

Të shpëtosh i gjallë

Leonidi i tregon nënës se pesë herë gati sa nuk ishte vrarë. Gjërat janë të keqorganizuara, thotë ai. Është e pazakontë që rusët të shtien në njëri-tjetrin – i kishte ndodhur edhe atij. Disa ushtarë e plagosën njëri-tjetrin vetëm që të merrnin leje shëndetësore.

Në një tjetër telefonatë, ai i thotë së dashurës se i ka zili shokët që plagosën veten në këmbë vetëm që të shkonin në shtëpi. “Një plumb në këmbë është katër muaj në shtëpi dhe me paterica. Do të ishte mrekulli”, thotë ai.

Pastaj shkëput lidhjen për shkak të të shtënave.

Nëna: “Përshëndetje, Lyonechka”.

Leonidi: “Doja të të thërrisja përsëri. Tani mund të flasë”.

Nëna: “Shumë mirë”.

Leonidi: “Ka ushtarë që po plagosin veten”.

Nëna: “Hmmm”.

Leonidi: “Ata e bëjnë për paratë e sigurimi. A e di se ku e plagosin veten?

Nëna: “Ky është budallallëk, Lyonya”.

Leonidi: “Pjesën e poshtme të kofshës së majtë”.

Nëna: “Është çmenduri, Lyonya. Kjo është çmenduri, besoj se e di?”

Leonidi: “Shumë janë të frikësuar dhe të gatshëm të lëndojnë veten vetëm që të ikin”.

Nëna: “është frika, çfarë mund të thuash, është frika njerëzore. Të gjithë dëshirojnë të jetojnë. Nuk e kundërshtoj këto, por të lutem mos e bëj. Do të lutemi për ty, do të ta tejkalosh këtu, vetëm largohu nga të gjithë dhe bëje. Do të lutemi për ty. Jemi të shqetësuar”.

Leonidi: “Po qëndroj këtu dhe e di se si është situata tani? Jam larg vetëm 30 metra nga një varrezë e madhe” (qeshet)

Nëna: “Kjo është e tmerrshme.. uroj të përfundojë shpejt.

Leonidi thotë se është dashur të mësojë se s’i të lirojë mendjen.

“Mendoni për mbrëmjet. Je i ulur në errësirë dhe është qetësi. I vetëm me mendimet. Dhe ditë pas ditësh ulesh me mendime të tua”, i thotë së dashurës. “Tashmë kam mësuar të mendoj se nuk ka asgjë derisa je ulur aty jashtë.

Leonidi flet me nënën.

I premton se do të sjellë në shtëpi një koleksion plumbash për fëmijët. “Trofe nga Ukraina” i quan ai.

Nëna i thotë se po e pret.

“Natyrisht se do të vijë, përse nuk do të vija?” thotë Leonidi.

“Natyrisht se do të vish. Nuk kam dyshim. Të kam xhan. Natyrisht se do të vish. Ti je lumturia ime”.

Leonidi u kthye në Rusi në muajin maj, i plagosur rëndë, por gjallë. Ai i ka thënë nënës se Rusia nuk do ta fitojë këtë luftë.

(Vazhdon)

Përktheu: Gent Mehmeti