Botë

Dokumentuesit e luftës në Ukrainë, fitues të çmimeve Pulitzer

Nuk është një ekzagjerim të thuhet se puna e AP-së në Ukrainë ishte një shërbim i vërtetë publik – duke i treguar botës për viktimat njerëzore të luftës, duke demaskuar dezinformimin rus, si dhe duke hapur korridorin humanitar. Për gati tri javë vitin e kaluar, Mstyslav Chernov, Evgeniy Maloletka dhe Vasilisa Stepanenko ishin gazetarët e vetëm në Mariupol, duke shërbyer si sytë dhe veshët e botës mes tmerreve të sulmit rus

Instinktet për rëndësinë strategjike të qytetit port ukrainas të Mariupolit çuan një ekip gazetarësh të Associated Pressit atje, pikërisht kur rusët ishin gati ta rrethonin. Doli të ishte një vendim fatal.

Për gati tri javë vitin e kaluar, Mstyslav Chernov, Evgeniy Maloletka dhe Vasilisa Stepanenko ishin gazetarët e vetëm në Mariupol, duke shërbyer si sytë dhe veshët e botës mes tmerreve të sulmit rus.

Së bashku ata ndihmuan në ekspozimin e shkallës së vuajtjes që duruan ukrainasit, shërbyen si kundërpeshë ndaj dezinformatave ruse dhe kontribuuan në hapjen e një korridori humanitar jashtë Mariupolit. Ata gjithashtu duhej t'i shmangeshin kapjes nga forcat e Kremlinit që po kërkonin ekipin.

Të hënën, juria e çmimit Pulitzer cituan punën e tre gazetarëve ukrainas, së bashku me Lori Hinnantin me bazë në Paris, për t'i ndarë Associated Pressit çmimin prestigjioz për shërbimin publik.

Shtatë fotografë të AP-së, përfshirë Maloletkan, fituan gjithashtu Pulitzer për kryelajmet për mbulimin e tyre të luftës, duke përfshirë Mariupolin. AP-ja ishte gjithashtu finaliste për një çmim të tretë për punën në Ukrainë, këtë herë për fotografinë e fokusuar në ndikimin e luftës tek të moshuarit.

"Kështu duhet të funksionojë AP-ja", tha Chernov të hënën nga Ukraina gjatë një kremtimi të fitores së çmimeve të stafit. “Kështu funksionojmë. Të gjithë këta njerëz mbështesin njëri-tjetrin dhe në fund prodhojnë punë që supozohet të ndryshojnë botën për mirë ose të paktën të mos e bëjnë më keq”.

Image
Fotografi i Associated Press, Evgeniy Maloletka, ndihmon një grua të plagosur të largohet gjatë granatimeve në Mariupol, 2 mars 2022

Raportimi mes rrezikut

Ndërsa çmimet janë domethënëse, është e rëndësishme të njihen të gjitha vuajtjet dhe humbjet në zemër të asaj që gazetarët raportuan, tha Julie Pace, zëvendëspresidente e lartë dhe redaktore ekzekutive e AP-së.

Raportimi, veçanërisht imazhet zemërthyese të viktimave të bombave civile, patën një ndikim të qartë. Zyrtarët e Mariupolit më vonë vlerësuan punën e tyre me presionin ndaj rusëve për të lejuar një rrugë evakuimi, duke shpëtuar mijëra jetë civilësh.

Puna e tyre e shkathët, e konsideruar "e guximshme" nga komiteti Pulitzer, përfshinte nxjerrjen fshehurazi të një skedari të vogël imazhesh të marra nga një mjeke ukrainase, të cilin e kishin fshehur në një tampon.

Image
Videofotografi i Associated Press, Mstyslav Chernov, lexon lajme në telefonin e tij, tri ditë para pushtimit rus në Volnovakha, 21 shkurt 2022

Në një moment gjatë rrethimit, ndërsa laku u shtrëngua mbi ta, Chernov dhe kolegët e tij po raportonin nga një spital që trajtonte të plagosurit e luftës. Atyre iu dhanë mantele për t'i veshur si kamuflazh. Një grup ushtarësh hynë brenda dhe kërkuan të dinin se ku ishin gazetarët.

Ata mbanin shirita blu që tregonin se ishin ukrainas. Por a ishin ata në të vërtetë rusë të maskuar?

Chernov provoi një shans, doli përpara dhe u identifikua.

Ushtarët ishin vërtet ukrainas. Ata i hipën gazetarët në një makinë dhe ata ikën nga qyteti, duke kaluar nëpër 15 postblloqe ruse.

Ta kapësh momentin

Nuk është një ekzagjerim të thuhet se puna ishte një shërbim i vërtetë publik – duke i treguar botës për viktimat njerëzore të luftës, duke shpërndarë dezinformimin rus, si dhe duke hapur korridorin humanitar, tha Pace.

"Ishte ambicioze që në fillim sepse duhej të ishte, sepse rreziqet ishin kaq të larta për ne, për AP-në, për ekipin në Mariupol dhe për njerëzit e qytetit", tha Hinnant të hënën në një telefonatë të stafit në Zoom. "Ne menduam atëherë se jetët do të vareshin nga kjo dhe kjo doli të ishte e vërtetë".

Ekipi i AP-së që fitoi çmimin për fotografinë e lajmeve të fundit në Ukrainë përfshinte Maloletkan, Pulitzerin e tij të dytë të ditës. Fitues të tjerë ishin Bernat Armangue, Emilio Morenatti, Felipe Dana, Nariman El-Mofty, Rodrigo Abd dhe Vadim Ghirda.

Tetë fotografë - Maloletka, Armangue, Morenatti, El-Mofty, Girda, David Goldman, Natacha Pisarenko dhe Petros Giannakouris - ishin finalistët e Pulitzerit në fotografinë artistike për paketën e tyre për të moshuarit në Ukrainë. Dy gazetarë, Eranga Jayawardena dhe Rafiq Maqbool, ishin finalistë në fotografinë e lajmeve të fundit për punën e tyre që mbulonte protestat mbi kolapsin ekonomik në Sri-Lanka.

"Të jesh atje është ndoshta më e rëndësishme dhe më kritike se kurrë", tha J. David Ake, drejtor i fotografisë në AP. “Nuk mund ta dokumentosh momentin që kap botën nëse nuk je aty dhe të jesh atje, shpesh është e pisët, e vështirë dhe e rrezikshme”.

Përktheu: Forca Jashari