Botë

Rënie drastike në të ardhurat e Rusisë nga nafta e gazi

Të ardhurat e Federatës Ruse nga shitja e naftës dhe gazit janë pothuajse përgjysmuar kohët e fundit, shkruan Bloomberg.

Sipas të dhënave të tyre, të ardhurat e rusëve në shkurt janë ulur me 46 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në total, thesari rus fitoi 6.9 miliardë dollarë në muajin e kaluar.

Ka disa arsye për këtë zhvillim.

Nga njëra anë, Rusia ka mundësinë të shesë vetëm një pjesë të eksporteve të naftës së papërpunuar ndërkombëtarisht me zbritje të mëdha pasi G7-a prezantoi një çmim tavan.

Megjithatë, çmimet e naftës së papërpunuar gjithashtu kanë rënë ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar - dhe jo vetëm për varietetin ruse të naftës Ural. Varieteti Brent kushtonte gjithashtu rreth 125 dollarë një vit më parë, dhe së fundmi çmimi i tij lëviz rreth 85 dollarë për fuçi.

Të ardhurat nga biznesi i gazit gjithashtu kanë rënë në mënyrë drastike. Rusia ndaloi eksportin e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1.

Kjo rezultoi në një rënie prej 42 për qind në të ardhurat e gazit të Rusisë në krahasim me vitin e kaluar. Të ardhurat e Gazpromit nga taksat e eksportit të gazit ranë deri në 81 për qind për shkak të ndërprerjes së furnizimit.

Rënia e të ardhurave nga lëndët e para vetëm pas vitit të parë të luftës e bën situatën për Kremlinin më komplekse se kurrë më parë. Së fundmi, Ministria e Financave vendosi kontakte me korporatat e mëdha ruse dhe bëri thirrje për një kontribut nga kompanitë për financimin e buxhetit të shtetit. Ata folën për shumën prej rreth katër miliardë dollarësh.

Paralajmërimet e miliarderit Oleg Deripaska, i cili është shumë i afërt me Kremlinin, kanë qenë gjithashtu kryefjalë. Ai paralajmëroi në forumin ekonomik të mbajtur së fundmi në Siberi se vendi mund të mbetet pa para që në fillim të vitit të ardhshëm.