Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rastet urgjente në rritje mbushin spitalet italiane për shkak të të nxehtit ekstrem

Spitalet përreth Italisë kanë parë një rritje të theksuar të numrit të njerëzve që kanë kërkuar ndihmë urgjente për shkak të të nxehtit të madh që po përshkon vendin, me temperaturat në Romë që kanë vendosur rekord.

Disa spitale kanë raportuar një rritje prej 20-25% të personave që kanë shkuar në emergjencë për shkak të dehidratimit apo sëmundje të tjera të lidhura me ekspozimin e tepërt ndaj të nxehtit.

Temperaturat në Romë kanë arritur në 41.8 gradë Celsius të martën, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 40.7 gradë Celsius në qershor 2022. Sicilia ka arritur 41 gradë dhe më të lartat ishin në Sardinia me 45 gradë Celsius, raportoi Guardian.

Në Napoli, spitali Cardarelli ka thënë se 231 pacientë kanë kërkuar ndihmë urgjente brenda 24 orësh – ekuivalent me një pacient çdo gjashtë minuta dhe numri ditor më i larti që nga pandemia e koronavirusit më 2020.

Shumica e pacientëve ishin të moshuar, disa prej të cilëve nga shtëpitë e kujdesit. Megjithatë, njerëz të çfarëdo moshe, përfshirë turistë, kanë kërkuar trajtim.

Italia ka vënë në “alarm të kuq” 23 qytete, një masë që nënkupton se i nxehti është aq intensiv sa që konsiderohet se paraqet rrezik për shëndetin e të gjithë popullatës, jo vetëm fëmijëve e të moshuarve.