Botë

Raporti i Ushtrisë – Ushtarja që i dha fund jetës, u ngacmua seksualisht nga shefi i saj

Ushtarja adoleshente, Gunner Jaysley Beck, e cila i ka dhënë fund jetës së saj në dhjetor të vitit 2021, besohet se këtë e ka barë pas ngacmimeve seksuale nga një prej shefave të saj.

Sipas raportit hetimor të ushtrisë, të siguruar nga BBC-ja, ngacmimet seksuale ndaj ushtares 19-vjeçare të Artilerisë Mbretërore, e cila u gjet e vdekur në kampin Larkhill në Wiltshire, filluan rreth dy muaj para vdekjes së saj.

“Është pothuajse e sigurt se ky ishte një faktor, shkak i vdekjes së saj”, thuhet në raport.

Duke folur ekskluzivisht për BBC-në, nëna e Gunner Beck bëri të ditur se gjendja e vajzës së saj kishte qenë “e rënduar” pas muajsh ngacmimesh.

Hetimi i ushtrisë zbuloi se shefi i saj, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur në raport, donte të krijonte një lidhje dashurie me të, por ajo kishte të dashur dhe nuk kishte ndjenja për shefin e saj.

Në raport përshkruhet se si në tetor të 2021-ës, shefi i saj i dërgoi asaj më shumë se 1 mijë mesazhe të shkruara dhe me zë në WhatsApp.

Muajin pasardhës numri i mesazheve arriti në më shumë se 3.500. Ai vazhdimisht kërkonte siguri se ajo ishte e vetme dhe në mesazhe e bëri të qartë se nuk mund ta duronte mendimin se ajo ishte me dikë tjetër.

Jaysley Beck fillimisht e kishte konsideruar shefin e saj si një mik dhe u përpoq të ishte mirëkuptuese, por në javët e fundit të jetës së saj ajo i dërgoi një mesazh në të cilin shkroi se “nuk mund ta përballoj më. Po më rëndon”.

Gunner Beck iu bashkua ushtrisë kur ishte 16 vjeçe dhe ishte krenare që ishte ushtare. Sipas raportit, Gunner Beck nuk vuante nga çrregullime të diagnostikuara të shëndetit mendor dhe nuk kishte kërkuar mbështetje sociale nga askush në ushtri.

Gjatë hetimit për vdekjen e saj, shumë dëshmitarë ofruan prova për sjellje të papërshtatshme seksuale nga ushtarët burra ndaj kolegeve të tyre gra në Larkhill.

Sipas raportit masat për të trajtuar këtë lloj sjelljeje u prezantuan si pjesë e një politike të re për forcat e armatosura në nëntor të vitit 2022. / BBC