I rrethuar nga forcat ruse dhe nën bombardime të vazhdueshme, qyteti verior i Ukrainës, Chernihiv, nuk ka energji elektrike, ngrohje apo ujë. Listat e barnave të padisponueshme në farmaci po rriten çdo ditë
"Në bodrumet natën, të gjithë po flasin për një gjë: Chernihivi po bëhet Mariupoli i ardhshëm”, ka thënë të shtunën për Associated Press, Ihar Kazmerchak studiues ukrainas i gjuhësisë, duke iu referuar qytetit jugor port 845 kilometra më larg, që ka pësuar disa nga tmerret më të këqija që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Frika nuk është e pavend. Bombat ruse shkatërruan urën kryesore të Chernihivt mbi lumin Desna në rrugën që të çon në Kiev të mërkurën. Të premten, predhat e artilerisë e bënë të pakalueshme urën e mbetur të këmbësorëve, duke ndërprerë rrugën e fundit të mundshme për njerëzit, për të dalë ose për ushqim dhe furnizime mjekësore.
Pak më shumë se një muaj pas pushtimit, sulmi i Rusisë është ngadalësuar në një luftë rrënuese të shkatërrimit, ndërsa ushtria e saj përpiqet t’i nënshtrojë qytete si Chernihiv. Bombardimet e spitaleve dhe vendeve të tjera joushtarake, si teatri i Mariupolit, ku zyrtarët ukrainas thanë se një sulm ajror rus besohet të ketë vrarë rreth 300 njerëz javën e kaluar, kanë shkaktuar akuza për krime lufte.
Pyetjet në lidhje me drejtimin e ofensivës së Rusisë u shfaqën të premten kur një zyrtar i lartë ushtarak rus tha se objektivi kryesor i fazës së parë të operacionit – ulja e kapacitetit luftarak të Ukrainës, ishte “përgjithësisht përmbushur”.
Gjeneral-koloneli Sergei Rudskoi, zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm rus, tha se forcat ruse tani mund të fokusohen në "qëllimin kryesor, çlirimin e Donbasit".
Donbasi është rajoni lindor kryesisht rusisht-folës ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar forcat ukrainase që nga viti 2014, dhe ku shumë banorë dëshirojnë lidhje të ngushta me Moskën. Mariupoli ndodhet aty, edhe pse jashtë dy territoreve të kontrolluara nga separatistët.
Zyrtarët amerikanë thanë se trupat ruse duket se kanë ndalur për momentin ofensivën e tyre tokësore që synonte kapjen e kryeqytetit, Kiev, dhe po përqendroheshin më shumë në marrjen e kontrollit të rajonit të Donbasit në juglindje të vendit.
Megjithatë, zyrtarët britanikë të mbrojtjes raportuan të shtunën se ushtria ruse vazhdon të rrethojë një numër qytetesh të tjera të mëdha ukrainase, duke përfshirë Chernihivin, i cili ndodhet 146 kilometra larg nga Kievi.
“Ka të ngjarë që Rusia do të vazhdojë të përdorë fuqinë e saj të madhe të zjarrit në zonat urbane pasi synon të kufizojë humbjet e saj tashmë të konsiderueshme, me koston e viktimave të mëtejshme civile”, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në konferencën e saj të fundit të Inteligjencës mbi luftën.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke u paraqitur me video-lidhje në Forumin e Katarit në Doha, të shtunën e krahasoi shkatërrimin e Mariupolit me shkatërrimin sirian dhe rus të kryer në qytetin e Aleppos.
"Ata po shkatërrojnë portet tona. Mungesa e eksporteve nga Ukraina do t'u japë një goditje vendeve në mbarë botën”, ka thënë Zelensky.
Ai u bëri thirrje vendeve të rrisin eksportet e tyre të energjisë për t'u dhënë vendeve evropiane një alternativë ndaj naftës dhe gazit rus.
Në Chernihiv, spitalet nuk funksionojnë më, dhe banorët gatuajnë mbi zjarret e hapura në rrugë sepse energjia është e ndërprerë.
Kryebashkiaku i Chernihiv, Vladyslav Atroshenko, ka thënë se më shumë se gjysma e 280,000 banorëve të qytetit u larguan mes sulmeve të pandërprera.
I ndodhur vetëm rreth 70 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë në rrugën për në Kiev, Chernihiv u sulmua në ditët e para të luftës dhe u rrethua nga trupat ruse këtë muaj, por mbrojtësit e tij deri më tani kanë penguar lënien e tij nën kontrollin rus.
"Chernihiv është bërë një simbol i sulmit të dështuar të ushtrisë ruse, plani i të cilit ishte të merrte qytetin brenda një dite, dhe të avancohej drejt Kievit”, ka thënë Mykola Sunhurovskyi, një analist ushtarak në qendrën e mendimit Razumkov me qendër në Kiev.