Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qyteti ukrainas Severodonetsk po përballet me bombardime të rënda ruse

Qyteti Severdonetsk në lindje të UKrainës ka qenë nën bombardime të rënda nga forcat ruse me javë, duke i detyruar qytetarët të futen në bodrume për të ikur nga luftimet, raporton agjencia AP.

Policia të mërkurën ka kërkuar nëpër shkolla dhe ndërtesa tjera me shpresë për të gjetur ata që po strohen në mënyrë që t’u ofrojnë ndihmë dhe në disa raste transport për në qytetet tjera si Lviv.

Përkundër se po jetojnë në kushte të rënda, me pak ushqim, shumica e banorëve po refuzojnë të largohen.

Sipas “Sky” disa banorë thonë se nuk kanë besim në policinë, e disa nuk po duan të mbesin të ngujuar në qytete tjera që nuk i njohin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Moska tash po sjellë përforcime dhe po synon të futet më thellë në lindje të Ukrainës. Rusia në fillim kishte thënë se synim e ka të “çlirojë” Donbasin.

Autoritetet ukrainase i kanë bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në Donbas që të evakuohen menjëherë, pasi kanë paralajmëruar se po pritet ofensivë e re ruse.