Botë

Qyteti i Italisë po mbledh fonde për t’ua paguar pensionistëve rrymën

Me çmimet e energjisë që po rriten në të gjithë Evropën, zyrtarët në “Palazzo Vecchio” - ndërtesë e cila shërben si bashkësi dhe muze në Firence - janë bashkuar me një organizatë jofitimprurëse për t’i ndihmuar të pensionuarit me të ardhura fikse të mos mbesin pa energji elektrike, përmes një fushate për mbledhjen e fondeve të quajtur “Adapto një faturë”

Firence është e famshme për artin italian, arkitekturën dhe kuzhinën e saj. Por gjatë këtyre ditëve, udhëheqësit e krahinës në këtë qytet, i cili konsiderohet të jetë vendlindja e periudhës së “Rilindjes”, po merren me çështje të zakonshme si pagesat e faturave.

Me çmimet e energjisë që po rriten në të gjithë Evropën, zyrtarët në “Palazzo Vecchio” - ndërtesë e cila shërben si bashkësi dhe muze në Firence - janë bashkuar me një organizatë jofitimprurëse për të ndihmuar të pensionuarit me të ardhura fikse të mos mbesin pa energji elektrike përmes një fushate për mbledhjen e fondeve të quajtur “Adapto një faturë”.

“Firence është qyteti ku banorët bëjnë jetë të mirë, për këtë arsye ata jetojnë shumë gjatë”, ka thënë kryetari Dario Nardella.

Çmimet e larta, të ardhurat e ulëta

Një numër i madh i të pensionuarve në Firence jetojnë me më pak se 9000 euro në vit, prandaj ata nuk mund të përballojnë rritjen e kostove të energjisë elektrike në shtëpi për 55% dhe rritjen prej 42% në faturat e gazit në banesa, ka thënë Nardella.

Luigi Boni, 96 vjeç, e konfirmon këtë. Ai thotë se deri në fund të shkurtit do të ketë zbrazur llogarinë e tij bankare dhe do të ketë shpenzuar pensionin e tij mujor prej 600 eurosh para se ai t’i ketë paguar shpenzimet mujore.

“Ose duhet të ha, ose të paguaj qiranë”, tha Boni, duke u ulur në kolltukun e tij me një gazetë në dorë.

Për ta ndihmuar atë dhe banorët e tjerë mbi moshën 65-vjeçare që jetojnë vetëm në mesin e 30.000 banorëve të Firences, administrata e qytetit ka nisur fushatën për mbledhjen e fondeve me fondacionin jofitimprurës “Montedomini”, i cili udhëheq projektet të cilat kanë për qëllim të ndihmojnë të pensionuarit e qytetit.

Mbledhja e fondeve

Image

Një plak shikon ndërtesën e vjetër të shekullit të katërmbëdhjetë të Pallatit të Vjetër në Firence, në Itali më 17 shkurt 2022. Nisma e fondacionit “Montedomini”, që për shekuj me radhë ka ndihmuar pleqtë në Firence, po u kërkon të pasurve që t’i ndihmojnë pensionistët


Fushata mblodhi 33.000 euro në ditët e para. Qytetarët e thjeshtë, duke përfshirë këtu edhe firencasit që jetojnë jashtë shtetit, dhuruan më shumë se 200 donacione, sipas këshilltares së qytetit për ndihmë sociale Sara Funaro.

"Qëllimi ynë është të mbledhim fonde për t'u siguruar që çdo i moshuar që na kërkon ndihmë mund të ndihmohet për ta përballuar rritjen e faturave", ka thënë Funaro.

Çmimet e larta të energjisë po rrisin faturat e shërbimeve - dhe po sjellin një rritje rekord të inflacionit - nga Polonia në Mbretërinë e Bashkuar. Si përgjigje, qeveritë në të gjithë Evropën po nxitojnë që t’u japin ndihmë banorëve dhe bizneseve derisa kompanitë e shërbimeve ua kalojnë kostot konsumatorëve.

Në Turqi, ku presioni ekonomik është ekstrem dhe ka nxitur edhe protesta, Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri janë në mesin e komunave të udhëhequra nga opozita me iniciativa të ngjashme, si “Adopto një faturë”. Sipas uebfaqes të Komunës së Stambollit, afro 49 milionë lira turke (rreth 3.6 milionë dollarë) ishin dhuruar që nga viti 2020 duke paguar 320.000 fatura të shpenzimeve.

Qeveria e kryeministrit italian, Mario Draghi, ka miratuar masa që vlerësohen më shumë se 8 miliardë euro (9 miliardë dollarë) për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve të energjisë për bizneset dhe individët.

Zgjidhja për të ardhmen

Dekreti më i fundit i qeverisë, i lëshuar të premten, kishte gjithashtu një plan për të ardhmen i cili është përshpejtimi i tranzicionit të Italisë drejt përdorimit të më shumë burimeve të rinovueshme të energjisë, veçanërisht energjisë diellore, për ta bërë vendin më pak të varur nga furnizimet e importuara.

Italia aktualisht importon 90% të gazit të saj, shumicën prej tij nga Rusia. Draghi ka këmbëngulur që çdo sanksion i Bashkimit Evropian për të ndëshkuar Rusinë për njohjen e dy zonave të kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore duhet të përjashtojë sektorin e energjisë.

Shoqata e kryebashkiakëve italianë ka thënë se përgjigja e Qeverisë deri më tani ka qenë e pamjaftueshme për t’i ndihmuar qytetet të përballen me qindra milionë euro në kosto shtesë të energjisë, duke i bërë ata të zgjedhin midis balancimit të buxheteve ose ndërprerjes së shërbimeve.

Firenca, Roma dhe qytetet e tjera mbajtën monumentet e tyre komunale dhe ndërtesat lokale qeveritare në terr gjatë 10 shkurtit, në mënyrë që të tërheqin vëmendje për situatën.

Përballimi i situatës

Image

Fushata “Adapto një faturë” e Firences mbështetet nga i gjithë populli. Përveçse është një destinacion kryesor turistik, kryeqyteti i rajonit të Toskanës së Italisë mban rekord në ofrimin e suksesshëm të shërbimeve sociale për banorët e varfër dhe të pambrojtur.

"Është një iniciativë e shkëlqyer, sepse mund të ndihmosh njerëzit që nuk ia dalin dot të paguajnë një faturë që në mënyrë të paturpshme ka arritur kosto të papërballueshme", tha Luca Menoni, pronari i një thertoreje në tregun e ushqimit Sant'Ambrogio të Firences.

“Unë po paguaj një faturë të energjisë elektrike dyfish më shumë se që paguaja më parë”, ka thënë Menoni.

Boni mund të marrë ndihmë për faturat e energjisë elektrike për ta kaluar këtë dimër dhe të shmang shpërnguljen në një shtëpi pleqsh. Megjithatë, ai ende ka një buxhet të vogël parash i cili nuk i lejon të bëjë shpenzime të mëdha.

“Biftek? Mish? As mos të flasim për këto. Unë ha ushqime të lira të paketuara”, tha ai. Pas vdekjes së gruas së tij, ai thotë se “është bërë ekspert në gatimin ekonomik”.

Përktheu: Marigona Avdimetaj