Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qyteti amerikan që u shndërrua në shesh lojërash për të pasurit

Montana - SHBA

Sipas shumë banorëve, një faktor tjetër që ka nxitur interesimin për qytetin e Bozemanin është edhe “Efekti Yellowstone” – njerëz që janë zhvendosur në Montana të frymëzuar nga seriali shumë i suksesshëm me titull “Yellowstone”, me Kevin Costner në rolin kryesor. Seriali paraqet konfliktet mes familjes Dutton, banorëve vendas dhe të huajve që kërkojnë të ndryshojnë mënyrën tradicionale të jetesës në fermat e zonës.

Gjyshja Sara Folger ulet në kuzhinën e shtëpisë së saj mobile, me Malet Shkëmbore që ngrihen në horizont, dhe kujton Bozemanin e Montanës me të cilin u dashurua dekada më parë.

Atëherë, thotë Folger, ky qytet i vogël rural në perëndim të SHBA-së ishte i mbushur me “hipi që kërkonin t’i riktheheshin jetës në natyrë, studentë universiteti, kauboj dhe të apasionuar pas skive”. Por sot, rrugët dikur të qeta janë mbushur me ekskavatorë, shenja sinjalizuese portokalli dhe vetura me targa nga shtete të tjera.

Që nga pandemia, popullsia e Bozemanit është rritur me rreth 20%, një rritje e jashtëzakonshme për një qytet që në vitin 2019 kishte më pak se 50 mijë banorë. Kjo valë ardhjesh u nxit nga një kombinim faktorësh.

Për vite me radhë, Montana ka tërhequr konservatorë nga e gjithë Amerika, të joshur nga tradita e shtetit për individualizëm të fortë, vetëmbështetje dhe mungesa e taksave mbi shitjet, luksin dhe trashëgiminë.

Numri i tyre u rrit ndjeshëm kur shumë njerëz filluan të “iknin nga kaosi i Covid-it në Bregun Lindor dhe Bregun Perëndimor”, thotë Mark Corner, president i Shoqatës së Agjentëve Imobiliarë të Montanës Jugperëndimore. Si pasojë, çmimet e banesave shpërthyen.

Edhe Si u bë Hanna Montana ikonë e fëmijëve të margjinalizuar Showbiz Si u bë Hanna Montana ikonë e fëmijëve të margjinalizuar

Shumë banorë vendas po detyrohen të largohen nga qyteti i tyre, ndërsa zhvilluesit e pasurive të paluajtshme nga shtete të tjera kanë përfituar miliona. Një grevë e fundit për qiratë në dy parqe me shtëpi mobile është bërë simbol i përplasjes sociale dhe ekonomike mes të pasurve dhe atyre me të ardhura të ulëta, duke nxjerrë në pah edhe një lëvizje në rritje për mbrojtjen e klasës punëtore.
Kryetari i Bashkisë së Bozemanit, Joey Morrison, i zgjedhur në moshën 28-vjeçare me premtimin për të zgjidhur krizën e strehimit, thotë se ndryshimet e shpejta kanë krijuar një ndarje të thellë mes banorëve vendas dhe të ardhurve nga shtete të tjera.

“Po shihnim qiratë tona të dyfishoheshin ose trefishoheshin brenda një ose dy vjetësh”, thotë ai.
“Papritur, çdo kafene është plot me njerëz që programojnë në kompjuter ose punojnë për kompani që nuk kanë pasur kurrë më parë asnjë lidhje me Montanën”, shton ai.

Efekti i serialit

Sipas shumë banorëve, një faktor tjetër që ka nxitur interesimin për Bozemanin është edhe “Efekti Yellowstone”– njerëz që janë zhvendosur në Montana të frymëzuar nga seriali shumë i suksesshëm “Yellowstone”, me Kevin Costner në rolin kryesor. Seriali paraqet konfliktet mes familjes Dutton, banorëve vendas dhe të huajve që kërkojnë të ndryshojnë mënyrën tradicionale të jetesës në fermat e zonës.

“Çdokush në Montana beson se seriali “Yellowstone”, me peizazhet e tij spektakolare dhe mënyrën se si e paraqet jetën këtu, ka ndikuar në tregun e banesave”, thotë Jeff Michael, drejtor i Byrosë për Kërkime Ekonomike dhe Biznes në Universitetin e Montanës.

Agjentët imobiliarë panë se “vlera e shtëpive tona u rrit me 40% brenda vetëm dy vjetësh” thotë Corner. “Dhe çmimet vazhdojnë të rriten”.

Qendra e qytetit ka ndryshuar rrënjësisht. Bizneset e vogla janë zëvendësuar nga restorante luksoze biftekësh, zinxhirë dyqanesh të markave të shtrenjta dhe dyqane që shesin kapele kauboji të punuara me porosi për turistët.

Aeroporti i qytetit, i cili po zgjerohet, pret vazhdimisht avionë privatë që transportojnë njerëz të pasur drejt rezidencave të tyre në vende ekskluzive si Yelloëstone Club në Big Sky, rreth një orë larg, ku figura të njohura si Justin Timberlake dhe Tom Brady zotërojnë prona me vlerë shumëmilionëshe.

“Në çdo ditë të zakonshme, në pistën e aeroportit tonë ka nga 80 deri në 100 avionë privatë, kryesisht me mysafirë të Yellowstone Club”, thotë Corner.

Gjatë pandemisë, blerësit vendas humbnin vazhdimisht përballë ofertave me para në dorë nga njerëz jashtë Montanës. Aq shumë shtëpi u blenë pa u parë fare nga afër, sa shoqata shtetërore e agjentëve imobiliarë shtoi një formular të ri informues në kontratat e saj.

Ndërsa banorët e Montanës e kishin pothuajse të pamundur të blinin një shtëpi, shumë të tjerë nuk mund të përballonin më as qiranë.

“Çdo zhvillues ndërtimi në Amerikë dëgjoi për qiratë marramendëse në Bozeman dhe sa fitimprurës ishte ndërtimi këtu”, thotë Corner.

Blloqe apartamentesh dhe lagje të reja me shtëpi u ngritën me shpejtësi, ndërsa qiraja për një apartament me një dhomë gjumi arriti në 2.000 dollarë në muaj ose më shumë, një shumë e papërballueshme për shumicën e banorëve vendas, veçanërisht për ata me vetëm një burim të të ardhurave. 

Pikërisht mbi këtë valë pakënaqësie, Joey Morrison fitoi zgjedhjet në nëntor të vitit 2023.

Sot, në moshën 30-vjeçare, ai jeton me të fejuarën dhe me dy cimerë. Rreth dhjetë vjet më parë ai paguante 333 dollarë për një dhomë në një shtëpi dykatëshe, ndërkaq sot e njëjta dhomë kushton 900 dollarë, thotë ai.

Morrison, i cili u rrit në Montanën lindore me nënën e tij infermiere dhe babanë e burgosur, ishte një nga themeluesit e “Bozeman Tenants United”, organizata që më pas ndihmoi në organizimin e protestës së banorëve të parqeve me shtëpi mobile.

Ai thotë se zgjedhja e tij si kryebashkiak ishte një referendum për politikën e strehimit dhe për perceptimin se qeverisja lokale kishte braktisur qytetarin e zakonshëm të Montanës.

“Ishte një valë e jashtëzakonshme mbështetjeje që thoshte qartë: Ne duam që njëri prej nesh të na përfaqësojë në Bashki”.

Edhe Nga varfëria në luks: Madonna rrëfen jetën e saj të vështirë në New York Showbiz Nga varfëria në luks: Madonna rrëfen jetën e saj të vështirë në New York

Ai sheh “shumë dëshpërim te njerëzit për mundësinë që të vazhdojnë të jetojnë në këtë shtet, veçanërisht në këtë qytet”.

Ikja nga Bozemani

Shumë pronarë shtëpish i kanë shitur pronat, kanë marrë fitimet dhe janë larguar nga Montana. Ata që vazhdojnë të marrin banesa me qira punojnë në dy ose tri vende pune ose ndajnë banesën me të tjerë. Shumë janë detyruar të jetojnë larg Bozemanit dhe të udhëtojnë çdo ditë nëpër rrugë malore. Disa çifte po shtyjnë edhe planet për të pasur fëmijë.

Edhe parku i shtëpive mobile ku jeton Sara Folger prej 17 vjetësh nuk ka shpëtuar. Qiraja për truallin ku qëndron shtëpia e saj me tri dhoma gjumi dhe dy banjo pothuajse është dyfishuar, edhe duke llogaritur inflacionin.

“Ka kaq shumë njerëz për të cilët kjo është ndalesa e fundit”, thotë Folger, 73 vjeçe, ish-administratore e granteve në Bashkinë e Bozemanit, e cila tani punon me kohë të pjesshme në supermarketin “Whole Foods”, i hapur në vitin 2023 si i pari në Montana.

“Ata nuk kanë ku të shkojnë. Nuk kanë para për të paguar qiranë. Nuk ka banesa që mund t’i përballojnë. Nuk ka asgjë. Ku do të shkojnë?”, shton Folger.

Ajo dhe banorë të tjerë të dy parqeve me shtëpi mobile u organizuan në maj dhe nisën grevën e parë të qirasë në Montana pas 50 vjetësh, sipas sindikatës së re të qiramarrësve.

Greva erdhi si reagim ndaj një rritjeje prej afro 100 dollarësh në muaj të qirasë së parcelës ku qëndrojnë shtëpitë e tyre.

Pak më vonë, parku u shit dhe tani administrohet nga një kompani me bazë në Kaliforni, duke lënë në pasiguri të ardhmen e banorëve dhe të vetë shtëpive të tyre.

“Nuk mund ta zhvendosësh një shtëpi mobile që ka qëndruar 25 vjet në të njëjtin vend. Ajo do të shpërbëhej”, thotë Ben Moore, 35 vjeç, banor i Mountain Meadows.

“E vetmja pasuri që kam është kjo rimorkio. Kështu është për shumë njerëz. Edhe sikur ta lëviznim, ku do ta çonim?”, shton ai.

Megjithëse disa banorë kanë pranuar kushtet e reja të kompanisë administruese, të tjerë thonë se beteja nuk ka përfunduar.

Përveç zgjedhjes së kryebashkiakut të ri, vendasja Katie Fire Thunder, 25 vjeçe, u emërua në dhjetor anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të Montanës. Ndërsa Sam Forstag, 31 vjeç, drejtues sindikal dhe ish-smokejumper – zjarrfikës që hidhet me parashutë për të luftuar zjarret pyjore, fitoi nominimin demokrat për distriktin e parë të Montanës në Kongres.

“Të rinjtë po e shohin me sytë e tyre se drejtuesit tanë nuk po marrin vendime që na mbrojnë”, thotë Fire Thunder.

“Ata po marrin vendime afatshkurtra nga të cilat përfitojnë më të pasurit e këtij shteti, ndërsa ne të gjithë themi: Kjo nuk është mënyra se si funksionon Montana”, shton Thunder.

Kafeneja nga e cila ajo flet ndodhet pranë kampusit të Universitetit Shtetëror të Montanës, jo më shumë se 2.5 kilometra larg restorantit luksoz JW Heist në qendër të qytetit.

Një natë më parë, në lokalin elegant të restorantit ndodheshin një përfaqësues shitjesh në fushën mjekësore, një investitor i pasurive të paluajtshme nga një shtet tjetër dhe një baba nga Kolorado, i cili kishte ardhur për orientimin universitar të djalit të tij.

Edhe Numri i vizitorëve në Spanjë arrin nivele të reja, ndërsa turistët shmangin Lindjen e Mesme Botë Numri i vizitorëve në Spanjë arrin nivele të reja, ndërsa turistët shmangin Lindjen e Mesme

Duke parë listën e uiskive, ku gotat më të shtrenjta kushtonin 170 dollarë, burri nga Kolorado tha: “Këto i kam parë diku tjetër me një të katërtën e këtij çmimi”

Përfaqësuesja e shitjeve, ulur pranë tij, iu përgjigj me ironi: “Ky është Bozemani”.