Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qyteti që ishte kryeqytet i SHBA-së për një ditë, 250 vjet pas po përjeton tjetër lulëzim

Kryeqyteti

Për vetëm një ditë, Lancasteri u bë kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës Revolucionare. Gati 250 vjet më vonë, qyteti i vogël në Pensilvani po përjeton një tjetër periudhë zhvillimi, duke ndërthurur historinë me artin, gastronominë dhe kulturën

Në sheshin Penn, në zemër të qendrës së Lancasterit, është e lehtë të imagjinosh se çfarë ka ndodhur në këto rrugë afro 250 vjet më parë.

Ishte shtatori i vitit 1777 dhe Revolucioni Amerikan ishte në rrezik. Forcat britanike sapo kishin mposhtur Ushtrinë Kontinentale në Betejën e Brandywine.

Britanikët po përgatiteshin të merrnin Filadelfian, atëherë qendra e qeverisë amerikane. Për këtë arsye, anëtarët e Kongresit Kontinental u larguan nga qyteti dhe u nisën drejt perëndimit, në kërkim të një vendi më të sigurt.

Destinacioni i tyre ishte Lancasteri, qytet i zhvilluar tregtar rreth 110 kilometra në perëndim të Filadelfias.

Më 27 shtator 1777, Kongresi Kontinental u mblodh në Lancaster. Për më pak se 24 orë, qyteti u bë kryeqyteti i përkohshëm i Shteteve të Bashkuara.

Delegatët qëndruan vetëm disa orë. Ata diskutuan situatën e luftës dhe mënyrat për të mbështetur ushtrinë e George Washingtonit. Më pas, vazhduan drejt perëndimit, në York, ku lumi i madh Susquehanna ofronte më shumë mbrojtje.

Edhe pse qëndrimi i Kongresit ishte shumë i shkurtër, kjo është vetëm një nga dëshmitë e rolit që Lancasteri ka luajtur në historinë amerikane.

Sipas historianit vendas Thomas Englert, qyteti është i vogël dhe të jep më shumë ndjesinë e një qyteze. Megjithatë, ai ka qenë pjesë e rëndësishme e disa prej momenteve vendimtare të historisë së Shteteve të Bashkuara.

Lancasteri lidhet me Luftën Revolucionare dhe Luftën Civile Amerikane, lëvizjen kundër skllavërisë dhe zhvillimin e industrisë amerikane. Qyteti ka gjithashtu një histori të gjatë të lidhur me bujqësinë.
Sot, muzetë e rinj, turet në këmbë dhe ndërtesat historike të përshtatura për përdorime të reja po e sjellin këtë histori më pranë vizitorëve.

Por Lancasteri nuk ka mbetur i lidhur vetëm me të kaluarën. Qyteti është shndërruar në një qendër të vogël, por kozmopolite, me një skenë të zhvilluar gastronomike, artistike dhe kulturore.

Historia e tij vazhdon të jetë pjesë e identitetit të qytetit, ndërsa Lancasteri vazhdon të ndryshojë dhe të gjejë mënyra të reja për t’u rikrijuar.

Ditët e para të Lancasterit

Në fillim të Luftës Revolucionare, Lancasteri ishte një qytezë e zhvilluar tregtare dhe një pikë e rëndësishme drejt perëndimit.

I rrethuar nga disa prej tokave bujqësore më pjellore të rajonit, qyteti ndihmoi në furnizimin e ushtrisë së George Washingtonit. Nga Lancasteri dërgoheshin ushqime, veshmbathje, armë dhe ushtarë.
Gjurmët e kësaj historie janë ende të dukshme në qendër të qytetit. Sheshi Penn është zemra e Lancasterit dhe rrethohet nga ndërtesa që dëshmojnë zhvillimin e tij ndër shekuj.

Tullat e kuqe janë të pranishme kudo, nga ndërtesat historike të stilit Georgian dhe Federal, te fasadat Queen Anne dhe ndërtesat Art Deco.

Shumë prej tyre kanë mbijetuar, edhe pse në vitet 1960 dhe 1970 disa ndërtesa historike u shembën gjatë projekteve të rinovimit urban.

Por, nga fundi i viteve ’60, qëndrimi i banorëve ndryshoi. Qyteti nisi të mbrojë ndërtesat e vjetra dhe të kërkojë përdorimin e tyre në vend të shembjes.

Kjo ndihmoi në ruajtjen e shumë monumenteve që shihen edhe sot. Mes tyre është Kisha Luterane Holy Trinity, e ndërtuar në vitin 1730, si dhe shtëpia dhe studioja e artistit Charles Demuth, i lindur në Lancaster.

Një tjetër simbol i qytetit është Lancaster Central Market (Tregu Qendror i Lancasterit).
Tregu u krijua në vitin 1730 dhe fillimisht ishte në ambient të hapur. Në vitin 1889 u zhvendos në ndërtesën ku ndodhet sot. Ai konsiderohet tregu publik bujqësor që funksionon pa ndërprerje më së gjati në Shtetet e Bashkuara.

Sot, tregu nuk është vetëm vend për të blerë ushqime. Ai është një pikë takimi për banorët dhe një mënyrë për të parë nga afër jetën e qytetit.

Në mesin e shekullit të 19-të, Lancasteri u bë gjithashtu një qendër e rëndësishme e lëvizjes kundër skllavërisë dhe një pikë e Rrjetit të Hekurudhës së Nëndheshme, që ndihmonte skllevërit të arratiseshin drejt lirisë.

Kjo histori trajtohet edhe në qendrën e re Thaddeus Stevens & Lydia Hamilton Smith, e hapur në maj të vitit 2026.

Qendra ndodhet në ish-shtëpinë dhe zyrën ligjore të Thaddeus Stevens, një nga mbështetësit më të fuqishëm të heqjes së skllavërisë dhe të të drejtave të barabarta në Kongres.

Aty tregohet edhe historia e Lydia Hamilton Smith, bashkëpunëtores së tij të afërt, e cila ndërtoi më vonë një karrierë të suksesshme si biznesmene, investitore dhe pronare.

Muzeu ndërthur hapësirat historike me video dhe materiale audio. Vizitorët njihen me rreziqet me të cilat përballeshin njerëzit që kërkonin lirinë dhe ata që i ndihmonin.

Kështu, historia e Lancasterit tregon jo vetëm të kaluarën e një qyteti të vogël, por edhe rolin që ai pati në disa prej ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike në Shtetet e Bashkuara.

Një qytet që rikrijohet

Në fund të shekullit të 19-të, Lancasteri u shndërrua në një qendër të rëndësishme industriale.
Kompani si Armstrong Cork, Hamilton Watch dhe Lancaster Caramel Company sollën dekada rritjeje ekonomike. Kjo e fundit u themelua nga Milton Hershey, përpara se ai të krijonte kompaninë e famshme të çokollatave Hershey’s.

Edhe dyqani luksoz Watt & Shand solli një përvojë të re blerjesh në qendër të qytetit.

Por, ashtu si shumë qytete amerikane, Lancasteri u përball me vështirësi në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Industria filloi të ngadalësohej dhe bizneset u zhvendosën drejt qendrave tregtare në periferi.

Shumë ndërtesa historike mbetën bosh ose u përdorën pak. Kjo krijoi mundësi për t’i rikthyer në jetë.
Fabrikat e vjetra të Armstrong Cork dhe Kerr Glass u shndërruan në Cork Factory Hotel. Ndërsa një magazinë duhani e vitit 1881 u përshtat si Lancaster Arts Hotel, me hotel dhe galeri arti.
Edhe ndërtesa të tjera kanë marrë një jetë të re. Horse Inn ndodhet në hapësirën e një ish-lokali të fshehtë të kohës së ndalimit të alkoolit, mbi stallat e kuajve.

Sot, aty shërbehen ushqime të përgatitura me produkte lokale dhe kokteje, në një ambient që ruan elemente të së kaluarës.

Edhe ish-ndërtesa e Watt & Shand u përshtat për një përdorim të ri. Pas mbylljes së dyqanit në vitin 1995, fasada e saj u përfshi në një hotel Marriott dhe qendër konferencash, të hapura në vitin 2009.
Projekti ishte i debatueshëm në atë kohë, por sipas historianit Thomas Englert, më vonë u vlerësua për ndihmën që i dha qendrës së qytetit, duke sjellë sërish vizitorë dhe investime.
Tani, Lancasteri po rikthen në jetë edhe ndërtesa të tjera historike.

Një prej tyre është Swan Hotel, që pritet të hapet së shpejti. Ai ndodhet në një objekt me histori që nis që në vitin 1824 dhe që për shumë breza ka shërbyer si tavernë dhe hotel.

Pas një restaurimi të gjerë, ndërtesa pritet të hapet në nëntor si një hotel butik me 11 dhoma.
Projekti synon të ruajë karakterin historik të ndërtesës, ndërsa i jep asaj një funksion të ri.

Ringjallja nga brenda

Përpjekjet për ruajtjen e historisë shpëtuan edhe lagje të tëra të Lancasterit.

Qyteti i Vjetër (Old Town), në juglindje të sheshit Penn, dikur ishte një zonë e njohur për taverna dhe shtëpi publike. Ndërtesat e tij datonin kryesisht nga shekujt 18 dhe 19.

Në vitet ’70, shumë prej tyre ishin dëmtuar dhe zona rrezikonte të shembej.

Por disa investitorë vendas, mes tyre biznesmeni S. Dale High, panë potencial në ndërtesat e mbetura.

Gjatë dy dekadave, dhjetëra ndërtesa u restauruan. Edhe stallat e vjetra të kuajve u shndërruan në garazhe.

Kështu, Qyteti i Vjetër, u kthye në një nga lagjet më karakteristike të Lancasterit.

Sipas Deborah Brandt, themeluese e studios Fig Industries, lagjja i shpëtoi shkatërrimit falë njerëzve që besuan te qyteti dhe investuan paratë e tyre.

Brandt e pa këtë ndryshim nga afër. Në vitin 2000, ajo u kthye në Lancaster pas një dekade pune me marka luksoze në Nju Jork.

Në atë kohë, shumë banorë të periferive rrallë shkonin në qendër. Disa e konsideronin zonën të pasigurt.

Brandt nisi një fushatë për t’i rikthyer banorët në qendër. Më vonë, kjo nismë u shndërrua në Fig Industries, që promovon bizneset, restorantet dhe jetën kulturore të qytetit.

Ajo thotë se ndryshimi nuk mund të vinte vetëm nga jashtë. Duhej që vetë banorët të krijonin besim dhe krenari për Lancasterin.

Procesi ishte gradual. Rreth viteve 2009-2010, ndryshimi nisi të ndihej më shumë.

Ndërsa në vitet 2015-2016, ai u bë i dukshëm edhe për njerëzit jashtë qytetit. Lancasteri kishte nisur të rikrijonte identitetin e tij.

Një qytet i krijuesve

Skena e artit ishte ndër të parat që u zhvillua në Lancaster, thotë Deborah Brandt.

Qyteti ishte relativisht i lirë për të jetuar dhe artistët mund të hapnin galeritë e tyre dhe të jetonin nga puna që bënin.

Një nga qendrat kulturore të qytetit është Fulton Theatre, një monument historik që daton nga viti 1852. Aty zhvillohen shfaqje të mëdha, programe për fëmijë dhe aktivitete edukative.

Pranë tij ndodhet Gallery Row, një zonë e vogël me galeri dhe biznese krijuese. Ajo u hap në vitin 2005 dhe sot mbledh artistë të vjetër e të rinj.

Në vitin 2024, edhe një ish-bankë u shndërrua në Lancaster Art Vault. Hapësira tani ka dhjetëra studio artistësh, ekspozita dhe aktivitete të ndryshme.

Sipas artistëve vendas, kjo lidhet me një traditë të hershme të Lancasterit për punën me duar dhe artizanatin. Qyteti ruan historinë, por njëkohësisht u hap rrugë ideve të reja.

Shije nga e gjithë bota

Ndryshimi i Lancasterit shihet qartë edhe në gastronomi.

Në të kaluarën, kuzhina e zonës lidhej kryesisht me traditat Pennsylvania Dutch dhe komunitetet Amish. Në tryezat lokale dominojnë ende gatime tradicionale, por sot ushqimet janë shumë më të larmishme.

Gjatë dekadave, Lancasteri ka mirëpritur komunitete nga pjesë të ndryshme të botës. Në qytet janë vendosur emigrantë dhe refugjatë nga Ukraina, Azia Juglindore, Amerika Latine dhe Afrika.
Që nga viti 2019, Lancasteri është njohur si një qytet që mbështet dhe mirëpret komunitetet e emigrantëve.

Ky diversitet është reflektuar edhe në restorante. Nga vetëm disa lokale në qendër në vitin 2005, sot qyteti ka më shumë se 150 restorante dhe kafene.

Në pak blloqe mund të gjesh gatime nga Himalajet, Japonia, Venezuela, Italia, Nepali dhe Butani.
Një tjetër shembull është Southern Market. Ndërtesa historike, e ndërtuar në vitin 1888 si treg fermerësh, u shndërrua në vitin 2022 në një qendër ushqimore ndërkombëtare.

Aty mund të provosh kuzhina nga vende të ndryshme, nga sushi dhe tacos, tek ushqimet marokene, vietnameze dhe xhamajkane.

Për Brandt, transformimi i Southern Market pasqyron edhe ndryshimin e vetë Lancasterit.
Dikur vizitorët vinin kryesisht për të parë komunitetet Amish dhe vetëm më pas shkonin në qytet për të ngrënë. Sot, sipas saj, kjo ka ndryshuar.

Gati 250 vjet pasi Kongresi Kontinental qëndroi për pak orë në Lancaster, qyteti vazhdon të ndryshojë dhe të krijojë identitetin e tij.

Për Brandt, ky transformim nuk lidhet me një restorant, galeri apo projekt të vetëm. Ai është rezultat i frymës së komunitetit, punës, bujarisë dhe gatishmërisë për të pranuar ide të reja.

Lancasteri ka një histori të gjatë, por në zemër të tij vazhdon të rrahë një shpirt krijues.