Presidenca e Ekuadorit ka bërë të ditur se gati 900 persona janë arrestuar që nga e marta gjatë operacionit të sigurisë kombëtare për të parandaluar dhunën nga bandat. Autoritetet ekuadoriane kanë njoftuar se 94 nga 859 personat e arrestuar janë anëtarë të atyre që i cilësojnë grupe “terroriste”.
Ekuadori u ka shpallur luftë bandave të drogës pas trazirave në burgje që nisën me arratisjen e një prej bosëve më të fuqishëm të drogës në Ekuador gjatë javës së kaluar. Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, kishte deklaruar të martën se shteti është në konflikt të brendshëm, duke urdhëruar forcat e sigurisë të neutralizojnë disa banda kriminale të akuzuara për nxitjen e dhunës.
Në dekretin presidencial, 22 banda kriminale janë shpallur si organizata terroriste. Në një masë të mëtejshme, qeveria ekuadoriane njoftoi të enjten se të huajt që duan të hyjnë në vend nga Kolumbia ose Peruja do të duhet të ofrojnë certifikatë të së kaluarës penale si masë e krijuar për të “parandaluar dhe kontrolluar hyrjen e individëve që përbëjnë kërcënim ose rrezik për sigurinë publike”.
Noboa ka pohuar se 90% e të burgosurve të huaj në Ekuador janë kolumbianë, peruanë dhe venezuelas.
Dhuna ka nisur nga arratisja e kreut të bandës, Adolfo “Fito” Macías. Pas arratisjes dhe deklaratës së Fitos, agjencia e burgjeve të Ekuadorit raportoi incidente në të paktën gjashtë burgje në provinca të ndryshme.
-
Bosi i bandës së drogës në Ekuador kapet në Spanjë, disa vjet pasi falsifikoi vdekjen
-
Arrestohet “El Diablo”, bosi më i kërkuar i drogës në Kosta Rika
-
Festë kombëtare në Ekuador pas suksesit në Botëror
-
Turqia arreston mbi 200 të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste para samitit të NATO-s
-
Kuba liron 2010 të burgosur ndërsa SHBA-ja ushtron presion ndaj qeverisë së saj