Zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, ka thënë të mërkurën se deklarata e përbashkët e nënshkruar prej më shumë se 100 organizatave humanitare, e cila paralajmëron për zgjerimin e krizës së urisë në Rripin e Gazës dhe njëkohësisht bën thirrje për armëpushim, është e rremë dhe s’përkon me realitetin në terren.
Ai ka thënë se pretendimet për uri masive kanë qenë të vazhdueshme përgjatë zhvillimit të konfliktit, porse ajo s’është shkaktuar asnjëherë nga Izraeli, ka shkruar BBC.
Sipas tij, uria është taktikë e përdorur prej grupit militant palestinez, Hamas, për të ushtruar më shumë trysni ndaj shtetit hebraik.
“Çdo herë që ka krizë të urisë në Gazë, ajo është e orkestruar nga Hamasi”, është shprehur Mencer. “Ata po përpiqen të parandalojë shpërndarjen e ushqimit duke plaçkitur kamionët me ndihma”.
Sa u përket bisedimeve për armëpushim, ai e ka akuzuar sërish Hamasin se po e refuzon propozimin e Katarit.
Ekipi negociator izraelit ndodhet ende në Doha, dhe se informacioni i vetëm zyrtar tani për tani është se Izraeli po e pret përgjigjen përfundimtare të grupit militant.
Mencer ka shtuar se Izraeli kërkon që pengjet e mbajtura në enklavën palestineze të lirohen menjëherë, tek ka nënvizuar se “ne kemi 50 pengje që po mbahen aty, disa prej tyre janë vrarë e disa të tjerë janë ende gjallë”.