Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qeveria dhe opozita e Venezuelës po negociojnë në Norvegji

Qeveria dhe opozita e Venezuelës kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në Norvegji, për të marrë pjesë në bisedime për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës në vend.

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, konfirmoi përpjekjet e Norvegjisë për të ndërmjetësuar mes opozitës dhe qeverisë por tha se opozita nuk do të hyjë në ndonjë "negociatë false".

Opozita e Venezuelës ka thënë se presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, ka përdorur negociatat e kaluara për të blerë kohë dhe nuk ishte i sinqertë në arritjen e kompromisit.

Nga ana tjetër, Maduro thotë se është i hapur për dialog dhe e akuzon opozitën se po përpiqet të marrë pushtetin me forcë.

Por, opozita këmbëngul se çdo proces diplomatik që synon zgjidhjen e krizës së Venezuelës duhet të rezultojë me rënien e qeverisë së Maduros, zëvendësimin e saj nga një administratë kalimtare dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.