Presidenti rus Vladimir Putin ka lavdëruar homologun amerikan Donald Trump gjatë një bisede me gazetarët dhe ka thënë se është i gatshëm të takohet me të.
Gjatë konferencës për shtyp të premten, Putini deklaroi se është gjithmonë i hapur për kontakte dhe takime ndërkombëtare, veçanërisht me Trumpin.
“Jam gjithmonë i gatshëm për kontakte dhe takime. E di që edhe Trumpi ka folur për mundësinë e një takimi”, u shpreh ai.
Më pas, Putini vlerësoi qasjen e Trumpit ndaj zgjidhjes së krizës në Ukrainë.
“E respektoj me të vërtetë. Ai ka kaluar rrugë të vështirë për të rifituar pushtetin dhe për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Ka mbijetuar disa përpjekje për atentat. Është i guximshëm dhe kjo është e qartë. Ajo që po bën, vlerësohet shumë. Unë besoj se ai është sinqerisht i përkushtuar në zgjidhjen e problemeve në Ukrainë”, ka thënë Putin.
Ai gjithashtu theksoi se Rusia është e gatshme për një raund të ri negociatash me Ukrainën.
“Negociatorët janë në kontakt të drejtpërdrejtë, drejtuesit e delegacioneve po diskutojnë për një datë të mundshme të takimit. Moska është e gatshme t’i dorëzojë Kievit edhe tre mijë trupa të tjera të ushtarëve të rënë të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Deri tani kemi dorëzuar gjashtë mijë trupa dhe jemi gati të dorëzojmë edhe afro tre mijë të tjerë, por mbetet në dorën e palës ukrainase nëse do të pranojë trupat e ushtarëve të saj të rënë”, përfundoi Putin.