Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini falënderon rusët: Votat tregojnë mbështetjen për politikat e mia

Presidenti rus, Vladimir Putin, falënderoi të enjten rusët për votat me të cilat ai forcoi kontrollin e tij në vend edhe për gjashtë vjet të tjera, pas goditjes më të ashpër ndaj disidencës që nga koha sovjetike.

Çdo kritikë publike ndaj Putinit ose luftës së tij në Ukrainë është mbytur, mediat e pavarura janë gjymtuar, armiku më i ashpër politik i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg në Arktik muajin e kaluar dhe aktivistë të tjerë të opozitës janë ose në burg ose në mërgim. Udhëheqësit perëndimorë i denoncuan zgjedhjet si një mashtrim, raportoi AP.

Duke folur në një videoadresim pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 15-17 marsit, të cilat treguan se ai fitoi 87% të votave, Putini argumentoi se kjo pasqyron mbështetjen e fortë publike të politikave të tij.

“Kjo do të thotë mbështetje për kursin politik dhe ekonomik të vendit, arritjet tona të përbashkëta që, natyrisht, duhet të jenë edhe më të mëdha, por edhe tani ta bëjnë Rusinë më të fortë dhe më të pavarur”, ka thënë Putini.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi të enjten rezultatet zyrtare përfundimtare të votimit, të cilat tregojnë se Putini mori mbi 76 milionë vota, numri më i madh në qeverisjen e tij gati çerekshekullore. Tre rivalët e tij simbolikë nga partitë miqësore me Kremlinin, të cilët mbështetën politikat e Putinit, morën secili nga 3% deri në 4% të votave.

Edhe Putini shpall fitoren Botë Putini shpall fitoren

Putini e ka udhëhequr Rusinë si president dhe kryeministër që nga dhjetori i vitit 1999. Në fund të mandatit të tij të pestë, Putini do të ishte udhëheqësi rus më jetëgjatë që nga Katerina e Madhe, e cila sundoi gjatë shekullit të 18-të.

https://www.koha.net/bote/413449/si-votuan-ruset-ne-rajon-putini-me-se-paku-vota-mori-ne-serbi/