Në sferën e vetëshpallur ruse të ndikimit, Rusia po e humb ndikimin.
Krizat e njëpasnjëshme në Bjellorusi, në Azinë Qendrore dhe në rajonin e Kaukazit kanë verbuar Kremlinin, duke e ballafaquar me halle se si t’i mbrojë interesat ruse në ish-republikat sovjetike, në atë që po e vë në rrezik imazhin prej një burrështetasi të specializuar në taktika të presidentit, Vladimir Putin, para syve të botës.
“Nuk ka asgjë të mirë për Moskën prej gjithë këtyre konflikteve”, ka thënë Konstantin Zatulin, ligjëvënës i lartë rus dhe aleat i Putinit, i specializuar në marrëdhëniet me ato që rusët i quajnë “vende të tyre të largëta në afërsi”.
Putini ka kaluar vite të tëra duke u munduar që ta ngrejë Rusinë në piadestalin e një fuqie globale, duke e zgjatur dorën e tij të ndikimit nga vatrat e nxehta në Amerikën Latine e deri në Lindje të Mesme, dhe duke ndikuar madje edhe në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por pasi punoi fort për vite me radhë për destabilizimin e Perëndimit, ai përnjëherë u gjet i rrethuar vetë nga jostabiliteti; i konsideruar dikur si një dorë e sigurt në çështjet e marrëdhënieve me jashtë, ai tani duket se e ka humbur këtë mundësi të tij.
Edhe
Një tjetër konflikt në horizont, Putin mund të aneksojë territorin e Bjellorusisë
Mst: Krizat e njëpasnjëshme
Në Bjellorusi, Putini iu përgjigj protestave masive të gushtit, duke ia dhënë mbështetjen autokratit të kundërshtuar, presidentit Alexandr Lukashenko, për ta kthyer kundër Rusisë opinionin publik të vendit evropian dikur më miqësor karshi Rusisë në mbarë botën.
Në Kirgizinë e Azisë Qendrore, protestat e kësaj jave prekën kulmin me rrëzimin e presidentit Sooronbai Jeenbekov, më pak se dy javë pasi që gjatë një takimi të rrallë sy më sy Putini i premtoi atij se “do të bëjë krejt çfarë është e mundur për ta mbështetur si një shef shteti”.
Dhe në Kaukaz konflikti që vlonte kaherë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit lidhur me enklavën Nagorno-Karabakh shpërtheu javë më parë, për t’u përshkallëzuar në luftimet më të rënda që nga viti 1990, duke rrezikuar që ta zhbëjë aktin balancues që i lejonte Rusisë të kultivojë lidhje të ndryshme në rajon.
“Rusia po bënte çmos për t’i ruajtur lidhjet e saja si me Azerbajxhanin ashtu edhe me Armeninë”, ka thënë Zatulin. “Akëcila ditë e konfliktit në Karabakh është duke i kontribuar, me plot kuptimin e fjalës, përhumbjes së autoritetit të Rusisë”.
Vargu i sfidave të reja për ndikimin rus godet përpjekjet shumëvjeçare të Putinit për t’u shfaqur si lideri që e ringjalli statusin e fuqisë së madhe, që vendin e kishte humbur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Edhe kur Kremlini e hodhi poshtë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-s, televizioni shtetëror rus i raportoi gëzueshëm pretendimet amerikane për këtë ndërhyrje si shenjë se Moska po llogaritet sërish si e rëndësishme në skenën botërore.
Edhe
I përulur në Siri, Putini e synon shfajësimin në Ukrainë
E tani, në vend që të reagojë me vendosmëri kundruall emergjencave në afërsi të shtëpisë së tij, Putini tingëllon i mëdyshur për rolin e Rusisë.
“Shpresojmë se konflikti do të marrë fund shumë shpejt”, tha ai për Nagorno-Karabakhun, gjatë një interviste televizive të transmetuar të mërkurën. Pak minuta më vonë, duke iu referuar Kirgizisë, ai tha: “Shpresojmë se gjithçka do të shkojë paqësisht”.
Bashkërendimi i krizave në fqinjësi të Rusisë është i tillë që disa prej komentuesve pro-Kremlin veç e kanë akuzuar Perëndimin për një fushatë të organizuar për mbjelljen e pakënaqësisë në rajonet e dikurshme sovjetike.
Analistë më të balancuar megjithatë kanë sinjalizuar për një faktor të vazhdueshëm për ngritjen e trazimeve.
Si Rusia ashtu edhe fqinjët e saj, pretenduan ata, janë destabilizuar nga pandemia e koronavirusit, e cila e ka shpërfaqur mosbesimin te institucionet dhe liderët që kanë shkëputur udhët me popujt përreth rajonit. Kjo gjë ndihmoi në zhbërjen e marrëveshjes së brishtë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ndërsa në Bjellorusi e Kirgizi sëmundja u dha hov kryengritjeve popullore nëpërmjet ekspozimit të shkëputjes së elitave nga popullatat në vuajtje.
Lukashenko i zemëroi bjellorusët duke e minimizuar rrezikun nga virusi, duke u tallur se vodka mund ta shërojë atë; në Kirgizi, kritikët i fajësuan zyrtarët për pasurim me anë të përdorimit të parave të dhuruara si ndihmesë për luftimin e koronavirusit.
Edhe
Putini paralajmëron konflikt global
Përbrenda Rusisë, vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia kanë ndihmuar në thellimin e zemërimit publik ndaj Putinit. Në qytetin e largët lindor Karabarovsk, për shembull, me mijëra protestues të zemëruar rreth arrestimit të një guvernatori popullor i vërshuan rrugët të dielën e shkuar, për të 13-n javë radhazi.
Disa analistë pretendojnë se pakënaqësia publike brenda Rusisë nënkupton se Putinit tani i duhet që ta përqendrojë më tepër vëmendjen e tij kah çështjet e brendshme, si telashet ekonomike, ndotja dhe përkujdesja e dobët shëndetësore, e jo në thellimin te gjeopolitikat globale. Por zhvillimet e javëve të fundit i kanë dhënë Putinit më shumë arsye për t’u përqendruar te kjo e fundit.