Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini akuzon Britaninë për jodemokraci

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë të mërkurën se mënyra se si Britania i zgjedh udhëheqësit e saj janë jodemokratike, një ditë pasi Liz Truss zëvendësoi Boris Johnsonin si kryeministër, shkruan Reuters.

Në komentet e tij të para publike për emërimin e Trussit si kryeministre, Putin aludoi për faktin se ajo u zgjodh në një votim nga anëtarët e partisë së saj Konservatore, e jo nga i gjithë vendi.

"Populli i Britanisë së Madhe nuk merr pjesë, në këtë rast, në ndryshimin e qeverisë. Elitat qeverisëse atje kanë marrëveshjet e tyre", ka thënë ai në një forum ekonomik në Vladivostok.

I pyetur për perspektivat për lidhjet me Britaninë, Putin shtoi: "Ne e dimë pozicionin e konservatorëve për këto çështje, duke përfshirë marrëdhëniet me Rusinë. Është puna e tyre se si të ndërtojnë marrëdhëniet me Federatën Ruse. Detyra jonë është të mbrojmë interesat tona dhe ne do ta bëjmë këtë vazhdimisht, askush të mos ketë asnjë dyshim për këtë".

Në rolin e saj të mëparshëm si sekretare e Jashtme, Truss ishte mbështetëse e zëshme për Ukrainën në agresionin që po përjeton nga Rusia. Politikanët dhe mediat ruse janë tallur me emërimin e saj si kryeministre.