Një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, e siguroi një tjetër mandat gjashtëvjeçar në krye të Rusisë, zyrtarë të lartë të shteteve kryesore perëndimore reaguan kundër procesit. Ata i kualifikuan të padrejta dhe jodemokratike zgjedhjet e mbajtura edhe në rajonet e okupuara të Ukrainës. E vetë Putini e bëri zotimin se askush nuk do të arrijë që ta frikësojë Rusinë
Qeveritë perëndimore e dënuan si të padrejtë dhe jodemokratike fitoren e presidentit rus, Vladimir Putin, në zgjedhjet presidenciale treditore që ia zgjatën atij mandatin edhe për gjashtë vjet të tjerë.
Një ditë pasi Putini e shpalli fitoren, liderë të shumtë botërorë shprehën pakënaqësi me rrjedhën e procesit.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se zgjedhjet në Rusi nuk kanë qenë as të lira dhe as të drejta.
“Organizimi rus i zgjedhjeve në pjesët e pushtuara të Gjeorgjisë dhe Ukrainës është plotësisht i paligjshëm. Dhe zgjedhjet presidenciale të Rusisë nuk ishin as të lira, as të drejta. Rusia po vazhdon t’i ndjekë ambiciet e saja perandorake dhe situata në fushëbetejë në Ukrainë mbetet e vështirë. Prandaj është jetike që ne të vazhdojmë të rrisim mbështetjen tonë për ukrainasit”, theksoi ai.
E ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i vlerësoi votimet ruse si zgjedhje pa një zgjidhje.
Edhe
Borrell: Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të lira dhe demokratike
“Ky proces zgjedhor, jo vetëm që e tregon sjelljen e ligë të Putinit ndaj popullit të tij, por edhe e shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara. Mbajtja e të ashtuquajturave zgjedhje në pjesë të Ukrainës, pjesë të Moldavisë dhe pjesë të Gjeorgjisë është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha ajo.
Kritikë shprehu edhe shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ai në një postim në platformën X, kritikoi mungesën e një opozite të njëmendtë, si dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Zgjedhjet presidenciale në Rusi u zhvilluan në një mjedis shumë të kufizuar, me votues të privuar nga një zgjedhje reale dhe në represion të brendshëm sistematik. Ne e dënojmë mbajtjen e paligjshme të të ashtuquajturave ‘zgjedhje’ në territoret e okupuara të Ukrainës”, deklaroi ai.
Mbajtjen e zgjedhjeve edhe në këto territore e dënuan edhe përfaqësuesit nga Franca, Britania e Madhe e vendet e tjera.
Por presidenti Putin, në shpalljen e fitores, theksoi se askush nuk do të mund ta frikësojë popullin rus dhe t’ia shtypë vullnetin e vetëdijen e tij.
Edhe
Çfarë vjen pas fitores së Putinit
“Pavarësisht se kush dhe si do të donte të na frikësonte, ta shtypte vullnetin dhe vetëdijen tonë, askush nuk ia ka dalë ta bëjë këtë. Siç e kam thënë tashmë, ata nuk ia kanë dalë tani dhe nuk do t’ia dalin kurrë as në të ardhmen”, deklaroi ai.
Ndryshe prej vendeve perëndimore, fitoren e Putinit në zgjedhje e përshëndetën Kina, India, Koreja Veriore e Bjellorusia, aleate këto tradicionale të Rusisë. (Përgatiti Blerta Haxhiu)