(CNN) - Vendvotimet tashmë janë mbyllur në Rusi, por për rezultatin e zgjedhjeve nuk kishte kurrë dyshim: Presidenti rus, Vladimir Putin ka siguruar mandatin e pestë në detyrë përmes një plebishiti të dyshimtë kombëtar.
Por procesi zgjedhor treditor për zgjedhjet presidenciale nuk kishte të bënte kurrë me demokracinë. Për Kremlinin, fitorja do t’i japë presidentit aktual një vulë të re legjitimiteti dhe do të dërgojë mesazh të qartë: Lufta e Putinit në Ukrainë ka përkrahje të plotë nga njerëzit e tij.
Në mbrëmjen e zgjedhjeve, ai i është adresuar popullit rus, duke u bërë thirrje votuesve që të votojnë, në mënyrë që ta shfaqin unitetin kombëtar.
Putini gjithashtu ka aluduar në mënyrë të paqartë për “shumë detyra” që po e presin vendin pas rizgjedhjes së tij, për të cilat nuk ka shpjeguar se çfarë mund të jenë saktësisht.
A do t’i lejojë fitorja Putinit të vazhdojë luftën në Ukrainë siç e sheh të arsyeshme? Putini është i sigurt për zhvillimet në fushëbetejë, sidomos pas rënies së qyteteve ukrainase Bakhmut dhe Avdiivka. Dhe me vonesat e ndihmave për Ukrainën, rezultatet e zgjedhjeve i japin atij më shumë municion retorik.
Por avancimi i Rusisë në fushëbetejë në lindje të Ukrainës ka ardhur me kosto të tmerrshme njerëzore. Vazhdojnë spekulimet se Putini dhe gjeneralët të tij mund të kenë nevojë të nisin një raund të ri mobilizimi paszgjedhor.
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
Parashikimi i veprimeve të Putinit pas zgjedhjeve është i ndërlikuar. Udhëheqësi rus ka ruajtur ekonominë nga sanksionet për një periudhë afatshkurtër. Fabrikat e tij të municionit janë duke i kaluar prodhimet e SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë.
Por lufta është gjithmonë e paparashikueshme. Dhe çfarëdo përpjekje që do të ndërmarrë Putini për t'i kthyer gjërat në favor të tij, problemet afatgjata të Rusisë – rënia demografike, kostoja e luftës, sanksionet dhe brishtësia e natyrshme e sundimit nga një njeri – nuk ka të ngjarë të zhduken përpara se Putini të dalë në një mandat të gjashtë në pushtet.