Urbanizimi i shpejtë dhe i parregulluar është një nga faktorët që i bën qytetet “kritikisht të prekshme” ndaj rreziqeve natyrore
(Al Jazeera) - Tërmetet e fuqishme kanë bërë që ndërtesat shumëkatëshe të shemben përtokë në pjesë të Turqisë dhe Sirisë, duke lënë të vdekur më shumë se 2600 njerëz, ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit.
Dy linja të mëdha thyerjeje përgjatë Pllakës së Anadollit kanë gjeneruar një numër tërmetesh të mëdha. Lëkundja fillestare me magnitudë 7.8 ballë të hënën në mëngjes, e cila u pasua nga një tërmet me magnitudë 7.6 disa orë më vonë, kishte të njëjtën magnitudë me atë që la të vdekur rreth 30.000 njerëz në vitin 1939 në Turqinë verilindore. Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi qytetin perëndimor të Izmit në vitin 1999, kur më shumë se 17.000 njerëz vdiqën.
Ekspertët thonë se disa faktorë e kanë komplikuar ngjarjen sizmike. "Një nga arsyet pse numri i viktimave ka qenë kaq i lartë është cilësia e dobët e ndërtesave", i tha “Al-Jazeeras” Mustafa Erdik, profesor në Observatorin e Universitetit Bogazici dhe në Institutin e Kërkimeve të Tërmeteve në Stamboll.
Strategjia Kombëtare e Turqisë për Tërmetet dhe Plani i Veprimit për 2012-2023 theksoi se si migrimi masiv dhe i shpejtë gjatë viteve 1950 çoi në zhvillimin urban të mbikëqyrur dobët, duke i bërë qytetet “kritikisht të prekshme” ndaj rreziqeve natyrore.
Pas tërmetit në vitin 1999, institucionet e Turqisë vlerësuan nevojën urgjente për të reduktuar rreziqet në një vend të prirë ndaj tërmeteve dhe legjislacioni u miratua për të zbatuar kontrollet e detyrueshme të projektimit dhe inspektimet e ndërtimit në të gjitha ndërtesat.
Ndërtesat e ndërtuara sipas kodeve të projektimit rezistuese ndaj tërmeteve, megjithatë, janë ende pakicë. "Ato që janë shembur datojnë para vitit 2000”, tha Erdik.
Më shumë se 3400 ndërtesa në të gjithë Turqinë juglindore janë shembur, sipas Agjencisë së Vendit për Fatkeqësitë.
Të paktën dy spitale, një në Hatay dhe një në Iskenderun, ishin midis tyre, tha korrespondentja e “Al-Jazeeras” në Stamboll, Sinem Koseoglu.
Ajo shtoi se përmasat e mëdha të shumë ndërtesave shumëkatëshe po i ndërlikonin përpjekjet e shpëtimit pasi ende po regjistroheshin pasgoditje të dhunshme.
Një tjetër arsye për shifrat e larta të viktimave është koha e goditjes së tërmetit të parë. Ai goditi ndërsa njerëzit flinin në orën 4:17 të mëngjesit dhe u bllokuan shumë nën rrënoja.
Autoritetet turke matën një tjetër tërmet me magnitudë 7.6 në orën 13:24 katër kilometra në jugjuglindje të qytetit Ekinozu në Kahramanmaras, ku tërmeti me magnitudë 7.8 goditi disa orë më parë.
Pamjet e drejtpërdrejta të mediave lokale treguan më shumë ndërtesa që shembeshin në qytetin Malatya, gjatë tërmetit të fundit masiv.
Ndërtesat moderne nuk ishin të vetmet të dëmtuara. Kalaja e Gaziantepit, e cila daton që nga mbretëria hitite dhe u zgjerua nën Perandorinë Romake, është shembur pjesërisht.
Videoja e postuar nga mediat lokale tregoi pjesë të kështjellës duke u rrëzuar në rrugën më poshtë.
Përgatiti: Rexhep Maloku