Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Protesta të dhunshme në Greqi, studentët përplasen me policinë

Studentët grekë hodhën koktej molotovi ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës, në qendër të Athinës të premten, pak para se parlamenti të miratojë një ligj që lejon hapjen e universiteteve të huaja private në vend, shkruan BBC.

Ligji pritet të miratohet sot nga deputetët e parlamentit grek.

Në një fjalim para parlamentarëve, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thënë se kjo është “garanci për liri më të madhe dhe qasje më të madhe në njohuri”.

Partitë opozitare kundërshtojnë miratimin e ligjit, duke pretenduar se është në kundërshtim me Kushtetutën.

Reformat arsimore në Greqi shpesh janë të ngjyrosura politikisht dhe aktivizmi universitar është i lidhur historikisht me lëvizjet pro-demokracisë, por është përdorur gjithashtu si një strehë për grupet e dhunshme protestuese.

Megjithëse arsimi i lartë privat është i ligjshëm në Greqi, ligji i ri do t'i bënte diploma nga institucionet private të barabarta me universitetet publike. Universitetet e huaja do të lejohen të hapen në Greqi me status jofitimprurës pavarësisht tarifave të shkollimit.

Sipas Ministrisë së Arsimit, më shumë se 650 mijë studentë ndjekin mësimet në universitetet shtetërore në Greqi dhe 40 mijë studiojnë jashtë vendit.

Qeveria e Mitsotakisit ka prezantuar së fundmi një sërë reformash progresive në Greqi, si legalizimi i martesave të së njëjtës gjini dhe votimi me postë për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian në qershor.

 

Artikuj të ngjashëm