Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Planet për universitete private në Greqi, vazhdojnë protestat në Athinë

Mijëra protestues u mblodhën sërish në qendër të Athinës të premten për të kundërshtuar planet e qeverisë për të futur universitete private, pas disa javësh demonstratash, duke përfshirë pushtimin e ndërtesave universitare nga studentët.

Ligjvënësit pritet të votojnë për masën më vonë të premten e cila pritet të kalojë. Qeveria e qendrës së djathtë të Greqisë ka argumentuar se reforma do të ndihmonte në tërheqjen e punëtorëve të kualifikuar përsëri në vend, raportoi AP.

"Ne duhet t'i themi një ‘po’ të fortë kësaj mase ... si një garanci për liri më të madhe dhe akses më të madh në njohuri për të gjithë studentët grekë”, ka thënë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në parlament përpara votimit.

Partitë e opozitës e kundërshtojnë gjerësisht projektligjin, duke argumentuar se ai shkel Kushtetutën dhe mund të krijojë një sistem me dy nivele për studentët.

“(Qeveria) po prezanton konceptin e meritokracisë së paguar nga tarifat e shkollimit. Kushdo që ka para do të studiojë: fuqinë e privilegjit”, ka thënë ligjvënësi Harris Mamoulakis, për partinë kryesore opozitare të krahut të majtë Syriza, gjatë debatit tre-ditor.

Më shumë se 650,000 studentë aktualisht studiojnë në universitete shtetërore në Greqi, dhe 40,000 të tjerë jashtë shtetit, sipas të dhënave të Ministrisë greke të Arsimit.

Artikuj të ngjashëm