Më shumë se 90 njerëz kanë vdekur pas një zjarri në një repart Covidi në një spital në qytetin irakian të Nasiriya. Pjesa më e madhe e sistemit të kujdesit shëndetësor në Irak është në gjendje të rëndë pas viteve të konfliktit, dhe të afërmit e zemëruar të viktimave kanë protestuar jashtë objektit.
Policia tha se zjarri në spitalin Al-Hussein filloi kur shkëndijat nga instalimet elektrike u përhapën në një rezervuar oksigjeni, duke shkaktuar shpërthimin e tij. Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, urdhëroi arrestimin e shefit të spitalit.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se numri i të vdekurve ishte 92, me më shumë se 100 të tjerë të plagosur. Numri po ngrihet vazhdimisht. Në prill një zjarr në një spital në Bagdad vrau më shumë se 80 persona.
Kryetari i parlamentit irakian, Mohammed al-Halbousi, tha se flakët e Nasiriyas ishin "prova e qartë e dështimit për të mbrojtur jetën në Irak dhe është koha t'i jepet fund këtij dështimi katastrofik".
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi përplasje midis demonstruesve dhe policisë në vendngjarje dhe dy automjete policie u dogjën.
Reparti i ri kishte hapësirë për 70 shtretër dhe u ndërtua vetëm tre muaj më parë, thanë zyrtarët mjekësorë për agjencinë e lajmeve Associated Press. Një zyrtar shëndetësor tha se të paktën 63 njerëz ishin brenda kur filloi zjarri.
"Kam dëgjuar një shpërthim të madh brenda reparteve të koronavirusit dhe pastaj zjarri kishte shpërthyer shumë shpejt”, i tha një rojë spitali Reutersit. Një operacion kërkimi po vazhdon.
Oday al-Jabri, i cili humbi katër anëtarë të familjes dhe dy fqinjë, i tha agjencisë së lajmeve AFP se ishte i irrituar dhe i zemëruar.
"Çfarë po ndodh? Unë thjesht dua të kuptoj se çfarë po ndodh në Nasiriya?"- tha ai. "Unë nuk e di nëse duhet të ngushëlloj familjen time, fqinjët e mi apo të afërmit e mi. Çfarë mund të them?"
Një i afërm tjetër, Abu Nour al-Shawi, i tha agjencisë: "Një pacient i infektuar me koronavirus sillet këtu për t'u mjekuar, por kthehet në një arkivol së bashku me familjen dhe fëmijët e tij. Ku tjetër do të ndodhte një gjë e tillë? Kjo ndërtesë është për kafshë, dhe madje as ato nuk mund të jetojnë në të".
Një mjek në spital, i cili foli me Reutersin në kushte anonimiteti, tha se ndërtesa nuk kishte as masat themelore të sigurisë.
"Spitalit i mungon një sistem spërkatës zjarri apo edhe një alarm i thjeshtë zjarri", tha ai. "Ne u ankuam shumë herë gjatë tre muajve të fundit se një tragjedi mund të ndodhte çdo moment nga një cigare, por çdoherë marrim të njëjtën përgjigje nga zyrtarët shëndetësorë: ‘Nuk kemi para të mjaftueshme’”.
Pas zjarrit vdekjeprurës të prillit në kryeqytet, i filluar nga një rezervuar oksigjeni, ministri i Shëndetësisë, Hassan al-Tamimi dha dorëheqjen.