Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Protesta në Evropë e Rusi kundër pushtimit të Ukrainës

Qindra protestues janë mbledhur në Londër të enjten, duke i kërkuar Britanisë së Madhe dhe demokracive tjera që të marrin aksione konkrete kundër Rusisë. Ukrainasit që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë mbledhur para Uajthollit dhe selisë së kryeministrit Boris Johnson.

Protestat janë organizuar pas nisjes së pushtimit masiv të Ukrainës nga 150 mijë trupat ruse. Protesta kundër luftës janë mbajtur edhe në Romë, ku komuniteti ukrainas i Italisë ka organizuar demonstrata kundër bombardimeve dhe sulmeve ruse.

Rreth 500 ukrainas kanë thënë se janë të frikësuar për familjarët dhe farefisin e tyre në ish-republikën sovjetike.

Ata kanë thënë se bashkatdhetarët e tyre në vendlindje po jetojnë me frikë. Protestuesit kanë theksuar se ukrainasit dëshirojnë të jetojnë në paqe, porse Putini e nisi luftën.

Dhunë ka pasur edhe në sheshet e Moskës, pasi qindra kundërshtarë të luftës demonstruan, por menjëherë nisën arrestimet nga policia ruse që nuk lejon kurrfarë pakënaqësie publike. Dhjetëra demonstrues kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj Putinit edhe në Stamboll.

Protestat e ukrainasve të Turqisë është mbajtur para Konsullatës ruse në Stamboll.