Abu Bilal thotë se puna e tij në saldim e ka lejuar atë të jetë më i vetëmjaftueshëm dhe madje ka qenë në gjendje të blejë një makinë më të mirë - një Mercedes. Në kohët më të vështira, ai madje ka ndihmuar ata që e kanë kundërshtuar karrierën e tij të përbashkët.
Kabir Abu Bilal nuk është profesor i rregullt i universitetit nigerian - ai ka një punë të dytë si saldator në qytetin verior të Zarias. Saldimi shihet gjerësisht si punë nënçmuese në të gjithë Nigerinë dhe ai i ka tronditur të gjithë - veçanërisht kolegët e tij - duke hapur punëtorinë e tij të saldimit.
“Nuk më vjen turp që punoj si saldator, pavarësisht se jam profesor”, thotë ai për BBC-në. “Fitoj më shumë para nga saldimi”.
50-vjeçari jep mësim dhe mbikëqyr studentë hulumtues në fakultetin e inxhinierisë në Universitetin Ahmadu Bello, më i madhi dhe një nga universitetet më prestigjioze të Nigerisë. Ai ka punuar atje për 18 vjet dhe ka botuar disa libra për fizikën dhe inxhinierinë elektrike.
Miku i tij, Jusuf Jubril, shpjegon se kolegëve të tyre u duket gjë e çuditshme: “Shoqëria na bën të mendojmë se dikush është shumë i madh për role të caktuara dhe kjo nuk është e vërtetë. Ajo që ai po bën nuk është poshtëruese, por e lavdërueshme dhe shpresoj që të tjerët të mësojnë prej tij”.
Profesori Abu Bilal pajtohet se njerëzit, veçanërisht të diplomuarit, duhet të jenë më mendjehapur për mënyrën se si e bëjnë jetesën e tyre.
“Arsimi nuk duhet ta pengojë njeriun të bëjë punë të tilla, më habit fakti që ka njerëz me diploma të para që e shohin një punë të tillë si degraduese”.
Fjalët e tij kanë peshë - pasi sipas Raportit për të Diplomuarit në Nigeri, më shumë se 40 për qind e të diplomuarve nuk arrijnë të gjejnë punë në Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës. Ai hapi një punishte të vogël në Zaria rreth dy dekada më parë.
Në vitin 2022, një vit pasi u promovua për t’u bërë profesor, ai u transferua në ambiente më të mëdha pasi kishte gjetur mjaft biznes në qytetin universitar.
Kjo e ka lejuar atë të blejë më shumë pajisje dhe të marrë punë më të mëdha, me klientët që i kërkojnë të bëjë gjëra të tilla si korniza metalike të dyerve dhe dritareve.
E marr punën sado e vogël të jetë, edhe një derë do ta saldoj me qejf që të paguhem”, thotë ai.
Qëkur ishte fëmijë, thotë profesori, i ka pëlqyer gjithmonë të ndante dhe të bashkonte pajisje dhe gjëra të tilla si radio, të cilat e tërhoqën atë në karrierën e tij.
“Fatkeqësisht kuptova se inxhinieria këtu ishte më shumë teorike dhe më duhej një vend për t’u shprehur”, thotë ai.
“Kjo dëshirë arriti kulmin me mua duke filluar këtë punëtori saldimi”.
Akademikët në Nigeri kanë luftuar për një kohë të gjatë për paga modeste, shumica fitojnë midis 350 mijë naira (390 $; 305 £) dhe 500 mijë (555 $; 435 £) në muaj - dhe shpesh ka beteja të gjata me qeverinë për të marrë një rritje page.
Abu Bilal thotë se puna e tij në saldim e ka lejuar atë të jetë më i vetëmjaftueshëm dhe madje ka qenë në gjendje të blejë një makinë më të mirë - një Mercedes. Në kohët më të vështira, ai madje ka ndihmuar ata që e kanë kundërshtuar karrierën e tij të përbashkët.
“Kur pedagogët e universitetit hynë në grevë për tetë muaj në 2022 dhe ne nuk paguheshim, unë gjithmonë kisha para për shkak të kësaj pune dhe disa kolegë më vinin për ndihmë”.
Abu Bilal shpreson të frymëzojë njerëzit e tjerë për të marrë punë si ajo që bën ai.
Ai ka 10 praktikantë - të moshës nga 12 deri në 20 vjeç - në punëtorinë ku po u mëson atyre aftësitë e zanatit. Ata që nuk janë në shkollë gjatë ditës kujdesen për punëtorinë kur ai është larg në universitet.
Praktika ka tendencë të zgjasë rreth një vit - dhe më pas, kur të jenë aftësuar, mund të largohen dhe të krijojnë bizneset e tyre.
“Kam mësuar aq shumë duke qenë në punëtori, sa mund të bëj shumë sende së bashku tani”, ka theksuar 18-vjeçari Jibril Adam.
Akademiku është gjithashtu i vendosur që pesë fëmijët e tij të mos bëhen snob akademikë: “Unë i sjell këtu shumicën e fundjavave për të parë se si bëhet. Unë dua që ta mësojnë që një ditë ta bëjnë këtë punë”.
Abu Bilalit karriera e tij e përbashkët i përshtatet në mënyrë të përkryer, pasi ai është në gjendje të përvetësojë rolin e tij të mësimdhënies në të dy frontet: “Më pëlqen të jap njohuri”.
Përktheu: Blerta Haxhiu