Botë

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite thotë se Izraeli “ka kryer gjenocid” në Gaza

Samiti i liderëve myslimanë e arabë

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka thënë se Izraeli ka kryer “gjenocid” në Gaza, raporton “BBC”. 

Është një prej kritikave më të ashpra publike nga një zyrtar saudit që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit të kaluar. 

Duke folur në samitin e liderëve myslimanë dhe arabë, princi ka kritikuar po ashtu sulmet izraelite në Liban e Iran. 

Në një shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve mes Riadit dhe Teheranit, ai ka paralajmëruar Izraelin kundër lansimit të sulmeve në territorin iranian. 

Atij i janë bashkuar liderë tjerë të pranishëm duke bërë thirrje për tërheqje të plotë të Izraelit nga Bregu Perëndimor dhe Gaza. 

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, princi Faisal Bin Farhan Al-Saud, ka thënë se “është dështim i komunitetit ndërkombëtar” që lufta në Gaza nuk është ndaluar. 

Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më  7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona e u morën 251 pengje. 

Izraeli nisi hakmarrjen me synim për ta shkatërruar Hamasin. Gjatë ofensivës në Gaza kanë humbur jetën rreth 43,400 persona sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.