Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka thënë të shtunën se Irani do të vazhdojë aktivitetet e zhvillimit bërthamor ndërsa bisedimet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore kanë ngecur, raportoi AP.
Duke folur në ceremoninë e shënimit të ditës kombëtare të teknologjisë bërthamore të Iranit, presidenti tha se administrata e tij do të mbështesë përshpejtimin në kërkimin e teknologjisë bërthamore paqësore.
“Njohuritë dhe teknologjia jonë në fushën bërthamore nuk janë të kthyeshme. Hulumtimi i Iranit në fushat bërthamore paqësore nuk do të varet nga kërkesat apo pikëpamjet e të tjerëve”, tha Raisi, i cili erdhi në pushtet në gusht.
Komentet e Raisit erdhën pasi bisedimet midis Iranit dhe fuqive botërore në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 kanë ngecur. Ekziston shqetësimi se Irani mund të jetë më afër aftësisë për të ndërtuar një armë atomike nëse zgjedh të ndjekë një të tillë.
Marrëveshja bërthamore u rrëzua katër vjet më parë kur ish-presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara dhe vendosi sanksione dërrmuese ndaj Iranit. Ndërkohë, Irani e ka zgjeruar shumë punën e tij bërthamore.
Irani për shumë kohë ka insistuar se programi i saj bërthamor ka qëllime paqësore.
-
Teherani do t'i rindërtojë objektet e tij bërthamore, thotë presidenti i Iranit
-
Armët bërthamore s’janë pjesë e politikës së Iranit, thotë presidenti iranian
-
Presidenti iranian nuk dorëzohet për teknologjinë bërthamore
-
Raisi kërkon që SHBA-ja të demonstrojë se dëshiron të kthehet në marrëveshjen bërthamore
-
Presidenti iranian fajëson SHBA-në dhe Evropën për ujdinë e prishur bërthamore