Botë

Presidenti brazilian hetohet për deklaratat e tij lidhur me COVID-19

Gjykata e Lartë e Brazilit ka hapur një hetim mbi komentet e bëra nga presidenti Jair Bolsonaro, i cili pretendonte se vaksinat kundër COVID-19 mund ta rrisin mundësinë e kontraktimit të SIDA-s.

Komentet që Bolsonaro bëri gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në mediat sociale në tetor, bënë që atij t’i ndaloheshin përkohësisht Facebooku dhe YouTube, sipas politikave të këtyre platformave për lajme të rreme.

Bolsonaro shpesh ka hedhur dyshime mbi efektivitetin e vaksinave. Ai tashmë po përballet me një hetim të veçantë për trajtimin që i bënte pandemisë.

Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë më 24 tetor, Bolsonaro pohoi se raportet "sugjerojnë që njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 po zhvillojnë Sindromën e Fituar të Mungesës Imunologjike (AIDS) shumë më shpejt se sa pritej".

Pohimi është hedhur poshtë me forcë nga shkencëtarët dhe ekspertët mjekësorë.

Presidenti i sulmuar, i cili ka refuzuar të vaksinohet vetë, ka mbrojtur komentet dhe ka thënë se ai thjesht po citonte një artikull në një revistë.

Në tetor, senatorët brazilianë votuan për të rekomanduar akuzën për përgjigjen e tij ndaj pandemisë COVID-19. Një panel i posaçëm hetimor i Senatit mbështeti një raport që bën thirrje për ngritjen e akuzave kundër presidentit, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit.

Bolsonaro ka pohuar se ai nuk është "fajtor absolutisht për asgjë".

Numri i vdekjeve në Brazil nga COVID-19 është i dyti më i lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara. Më shumë se 615,000 njerëz kanë vdekur dhe 22.1 milionë janë infektuar me virusin, megjithëse ekziston frika se shifrat e vërteta janë shumë më të larta.