Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidentët e SHBA-së dhe Iranit kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare paqeje me synimin për t’i dhënë fund luftës, duke bërë që ajo të hyjë menjëherë në fuqi.

Marrëveshja përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një plan prej 300 miliardë dollarësh për “rindërtimin” e Iranit dhe ndërprerjen nga SHBA-ja të “të gjitha llojeve të sanksioneve” ndaj Iranit.

Megjithatë, çështja e programit bërthamor të Iranit, arsyeja kryesore e deklaruar nga SHBA-ja për konfliktin, mbetet për t’u negociuar gjatë një periudhe 60-ditore, e cila mund të zgjatet.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen në Francë gjatë samitit të G7-ës, e ka mbrojtur propozimin duke thënë se ai do të shmangte një “katastrofë ekonomike”. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se SHBA-ja do ta “bombardonte rëndë” Iranin nëse nuk arrihej një marrëveshje përfundimtare.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian gjithashtu e ka nënshkruar dokumentin të mërkurën, gjë që është konfirmuar nga Teherani zyrtar.

Kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë për mediat shtetërore se mosbesimi i tij ndaj SHBA-së mbetet dhe se “gishti i Iranit është mbi këmbëzën e armës”.

“Nëse armiku nuk e kupton gjuhën e logjikës, ne do të rikthehemi përsëri me gjuhën e forcës”, ka thënë ai për transmetuesin shtetëror Fars.

Çfarë përmban marrëveshja SHBA-Iran që tashmë ka hyrë në fuqi?

SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe zyrtarë të lartë ushtarakë që në ditën e parë.

Por që nga ajo kohë, konflikti është përshkallëzuar, duke rritur çmimet e energjisë dhe duke rikthyer presionet inflacioniste, pasi Irani vendosi një mbyllje de facto të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare tregtare kyç përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.

Trumpi u ka thënë gazetarëve në Francë, në resortin buzë liqenit në Evian-les-Bains ku u mbajt samiti i G7-ës, se plani do të shmangte një “depresion ekonomik global”.

“Nuk doja të shihja një katastrofë ekonomike”, ka thënë Trumpi. “Nëse kjo do të vazhdonte, ajo mund të ndodhte”.

“E vetmja gjë që di është se sa herë që flisnim për mundësinë e paqes, tregu i aksioneve ngrihej si raketë. Sa herë që thoshim diçka negative, si për shembull se nuk do të arrinim marrëveshje, tregjet binin ndjeshëm”, ka shtuar Trumpi.

Çmimet e naftës ranë pasi u njoftua marrëveshja.

Në tregtimin e hershëm të së enjtes, nafta Brent ishte rreth 1% më e ulët, duke rënë në 78.79 dollarë për fuçi, por mbetej rreth 8 dollarë më e lartë sesa para fillimit të konfliktit.

Trumpi ka nënshkruar një kopje fizike të marrëveshjes fillestare, të quajtur memorandum mirëkuptimi, gjatë një darke shtetërore të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës.

Teksti thotë se SHBA-ja dhe Irani do të “angazhohen për të negociuar dhe arritur një marrëveshje përfundimtare brenda maksimumi 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqimin e ndërsjellë”.

Marrëveshja gjithashtu thotë se “Irani rikonfirmon se nuk do të sigurojë dhe as nuk do të zhvillojë armë bërthamore”, që ishte kushti kryesor i Trumpit që nga fillimi i luftës.

Memorandumi gjithashtu përcakton se uraniumi i pasuruar i Iranit do të “hollohet” në vend, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të OKB-së.

Fillimisht, SHBA-ja kishte kërkuar që materiali bërthamor të largohej plotësisht nga territori iranian.

Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes nuk do të ketë tarifa për anijet që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore jetike për 60 ditë.

Megjithatë, memorandumi lë të hapur mundësinë e vendosjes së tarifave në të ardhmen. Para konfliktit nuk kishte tarifa të tilla.

Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror se Ngushtica e Hormuzit “nuk do të kthehet në kushtet e para luftës”.

Ai ka lënë të kuptohet se vendi mund të fillojë t’u ngarkojë tarifa anijeve që kalojnë përmes kësaj rruge strategjike pasi të përfundojë periudha 60-ditore e parashikuar në marrëveshje.

Ndërsa Trumpi kishte premtuar më parë se do t’i shkatërronte raketat balistike të Iranit, ai ka deklaruar në samitin e G7-ës se do të ishte “në rregull” që Teherani të zotëronte armë të tilla “nëse edhe vendet e tjera i kanë ato”.

Pika e parë e marrëveshjes shpall “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Megjithatë, Izraeli ka deklaruar se nuk ka plane për të tërhequr trupat e tij nga Libani dhe të mërkurën ka kryer sulme kundër grupit Hezbollah.

Trumpi është bërë gjithnjë e më i shqetësuar se operacionet ushtarake izraelite kundër Hezbollahut mund të rrezikojnë marrëveshjen me Iranin. Ai e ka qortuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë samitit të G7-ës të mërkurën.

Presidenti amerikan ka thënë se Netanyahu është “një njeri i mirë”, por se mund të tregonte “pak më shumë butësi”.

“Nuk është e nevojshme të rrëzoni një ndërtesë sa herë që dikush nga Hezbollahu hyn në të”, ka thënë Trumpi. 

Pas darkës në Pallatin e Versajës, Trumpi ka bnisur udhëtimin e tij të kthimit drejt Uashingtonit, ku plani i paqes me Iranin ka shkaktuar pakënaqësi te ligjvënësit e të dy krahëve politikë, përfshirë edhe anëtarë të partisë së tij.

Senatori republikan nga Luiziana, Bill Cassidy, i cili së fundmi ka humbur garën për rizgjedhje ndaj një kundërshtari të mbështetur nga Trumpi ka thënë se “kjo është gafa më e madhe e politikës së jashtme në dekada”.

SHBA-ja heq bllokadën detare ndaj Iranit

3 muaj më parë / 18 qer 2026 19:11
Anije

Forcat amerikane kanë hequr bllokadën për të gjithë trafikun detare që hyn e del nga portet dhe zonat bregdetare iraniane. 

Lajmin e ka bërë të ditur Komanda Qendrore e SHBA-së. 

Ajo ka thënë se veprimi është bërë në përputhje me udhëzimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. 

“Forcat amerikane nuk po pengojnë tranzitin e anijeve për në ose nga portet iraniane në Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit. Të gjitha përpjekjet ushtarake amerikane për zbatimin e bllokadës kanë pushuar. Anijet tona të shkëlqyera detare do të mbeten në zonë e përgjithshme për t’u siguruar që të gjitha aspektet e marrëveshjes të respektohen, të zbatohen dhe të jenë në fuqi të plotë”, ka shkruar Komanda Qendrore. 
 

Hegseth: SHBA-ja e gatshme të rivendosë bllokadë të hekurt ndaj Iranit nëse marrëveshja nuk zbatohet

3 muaj më parë / 18 qer 2026 13:33
Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se nëse Irani nuk u përmbahet kushteve të memorandumit, atëherë SHBA-ja “është më se e aftë të rivendosë një bllokadë të hekurt”. 

SHBA-ja ka rënë dakord të heqë bllokadën e saj detare e cila ka ndaluar anijet që udhëtojnë për në ose nga brigjet e Iranit që nga prilli, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar këtë javë.

"Nëse Irani nuk bën atë që thotë se do të bëjë", që është të heqë dorë nga ambiciet e tij për armë bërthamore, atëherë Hegseth thotë se "departamenti i luftës është këtu dhe i përgatitur të rifillojë nëse është e nevojshme".

Ai ka shtuar se çdo veprim dhe negociata ushtarake të SHBA-së do të "përqendrohen" në armët bërthamore të Iranit.

Hegseth gjithashtu ka thënë se ka vende evropiane që janë "të përgatitura të ndërhyjnë" dhe të ndihmojnë në pastrimin e Ngushticës së Hormuzit.

Por ai i ka bërë thirrje drejtpërdrejt Mbretërisë së Bashkuar që "të përparojë, të bëjë edhe më shumë, të shpenzojë edhe më shumë", në veçanti, ai thotë se Mbretëria e Bashkuar duhet të ndihmojë SHBA-në nëse kërkon qasje në bazat ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar dhe Diego Garcia.

Diego Garcia është pjesë e Ishujve Chagos në Oqeanin Indian, ku ndodhet një bazë ushtarake sekrete SHBA-Britani e Madhe. 

Kryeministri Keir Starmer i ka lënë mënjanë planet e tij për t'ia dorëzuar pronësinë e ishujve Mauritiusit, mes kundërshtimit nga Trumpi.

Izraeli thotë se trupat e tij vazhdojnë të operojnë në Liban

3 muaj më parë / 18 qer 2026 13:20
Ushtria izraelite

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite ka thënë se forcat e saj ende veprojnë në Libanin jugor, brenda një zone sigurie që shtrihet rreth 10 km në vend.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit thonë se prania e tyre është për shkak të "nevojave operacionale", në një postim në kanalin e tyre zyrtar në Telegram, dhe se trupat do të vazhdojnë të veprojnë për të "eliminuar kërcënimet".

Më herët të enjten, media libaneze ka raportuar sulme izraelite në jug të vendit, pavarësisht memorandumit SHBA-Iran që i përjashtonte ato.

Marrëveshja SHBA-Iran që është nënshkruar tashmë nga presidentët e të dy vendeve, parasheh armëpushim edhe në Liban.

Irani ka paralajmëruar se nëse Izraeli sulmon Libanin, marrëveshja do të prishet.

Trumpi falënderon Putinin dhe Xi-në pas nënshkrimit të marrëveshjes me Iranin

3 muaj më parë / 18 qer 2026 10:20
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën i ka përshkruar presidentin kinez, Xi Jinping, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, si “neutralë” gjatë luftës me Iranin, duke thënë se ata nuk i kishin penguar përpjekjet e tij për të kufizuar ambiciet bërthamore të Teheranit.

“Dua vetëm t’i falënderoj, sepse e bënë situatën shumë më të mirë”, ka thënë Trumpi pas miratimit të një marrëveshjeje fillestare me Iranin.

Duke folur në një konferencë për shtyp gjatë samitit të G7-s në Evian-les-Bains të Francës, Trumpi u ka thënë gazetarëve se ishte mirënjohës ndaj këtyre liderëve që kishin qëndruar jashtë konfliktit.

“Dua ta falënderoj Kinën, presidentin Xi. Kam qenë në kontakt me të dhe ai qëndroi neutral, plotësisht neutral, dhe unë e vlerësoj këtë”, është shprehur Trumpi.

“Dhe dua ta falënderoj Vladimir Putinin, ai ishte shumë neutral. Ata mund ta kishin bërë situatën shumë më të vështirë për ne”, ka shtuar presidenti amerikan. 

Komentet e Trumpit ishin në kontrast me qëndrimin e tij ndaj aleatëve amerikanë, nga Japonia deri në Evropë, të cilët ai i ka kritikuar se nuk kanë ndihmuar në operacionin ushtarak ose në përpjekjet pasuese për të hapur Ngushticën e Hormuzit, rrugën detare tregtare që ishte bllokuar nga Irani.

Moska dhe Pekini mbajnë lidhje të ngushta me Teheranin. Rusia ka paralajmëruar se lufta mund të çojë në një garë armësh bërthamore në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Kina ka dënuar sulmet e Uashingtonit ndaj Teheranit si një shkelje të hapur të sovranitetit të Iranit.

Sipas personave të njohur me çështjen, zyrtarët amerikanë të inteligjencës vlerësojnë se Pekini e ka furnizuar Teheranin me mallra që mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Rafineritë private kineze të naftës kanë qenë blerësit kryesorë të naftës iraniane gjatë konfliktit, duke sfiduar sanksionet amerikane.

Megjithatë, Trumpi ka thënë se Xi kishte ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe kishte shmangur dërgimin e “armatimeve të rënda” ose raketave tokë-ajër.

“Ata mund të kishin dërguar një cisternë nafte të shoqëruar nga gjashtë shkatërrues, tre në secilën anë. Nuk e bënë këtë”, ka thënë Trumpi.

“Presidenti Xi më ndihmoi. Ai u përpoq të ndihmonte dhe mendoj se ndoshta ka ndihmuar që kjo çështje të zgjidhet”, ka shtuar.

Në një deklaratë, një zëdhënës i ambasadës së Kinës në Uashington ka thënë se pozicioni i Pekinit ka qenë “i qëndrueshëm” dhe se Kina ka qenë “duke punuar pa pushim për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të arritur paqen.”

Marrëveshja prishet nëse Izraeli sulmon Libanin, thotë Irani

3 muaj më parë / 18 qer 2026 09:10
Esmail Baghaei

SHBA-ja dhe Irani kanë nënshkruar të mërkurën marrëveshjen e paqes. Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar atë gjatë samitit të G7-s që është mbajtur për tri ditë rresht në Francë, ndërsa Irani e ka konfirmuar nënshkrimin nga ana e presidentit të tij, Masoud Pezeshkian.

Ndërkohë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, ka thënë në Telegram se nëse Izraeli vazhdon të sulmojë Libanin, kjo do të konsiderohet shkelje e memorandumit.

Forcat izraelite kryen sulme të reja në Libanin jugor të mërkurën, thonë mediat shtetërore, pavarësisht kritikave të përsëritura nga Trumpi për veprimet e Izraelit në vend.

Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu kanë kryer sulme kundër njëri-tjetrit që kur marrëveshja SHBA-Iran është njoftuar të dielën në mbrëmje.

Nënshkrimi i marrëveshjes u ka hapur rrugë bisedimeve 60-ditore mes dy vendeve për përcaktimin e çështjeve të tjera, të cilat do të nisin në Zvicër të premten.