Televizioni CNN ka vlerësuar të dielën në kryelajmin e tij se presidenti amerikan, Donald Trump, po dështon në momentin historik të mandatit në kohën kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në protesta e trazira sociale të shkaktuara nga vdekja e afro-amerikan George Floyd në duar të policisë në qytetin Minneapolis.
“Te presidenti, karakteri është gjithçka”, ka shkruar cituar CNN-ja në analizën e saj fjalimin e shkrueses së famshme të fjalimeve, Peggy Noonan. “Dhe ja ku kemi paaftësinë e presidentit Donald Trump për të përmbushur këtë moment historik amerikan”, ka shkruar televizioni amerikan. Më tej thuhet se presidenti nuk ka qenë i përgatitur për t’u përballur me sfida kritike, si pandemia e shëndetit publik, kolapsi ekonomik dhe konflikti racor me të cilin po përballet populli. “Rezultatet u kanë fryrë flakëve të urrejtjes, ndarjes dhe vështirësive në krejt vendin”, thuhet në analizën e televizionit CNN.
Trumpi kërkoi 10 mijë ushtarë në Washington
Ndërkohë, ish-sekretari republikan i Mbrojtjes, Colin Powell, ka thënë se Trumpi nuk po e bën hesap Kushtetutën e vendit. Ai ka shtuar se lista e gjatë e ish-ushtarakëve të lartë amerikanë, të cilët kanë kundërshtuar reagimin e presidentit ndaj protestave mbarëkombëtare pas vrasjes së Floydit nga policia, tregon për seriozitetin e gjendjes.
“Ne kemi një Kushtetutë. Dhe duhet ta zbatojmë atë Kushtetutë. Dhe presidenti i është shmangur asaj”, ka deklaruar Powell, gjeneral i pensionuar, i cili ishte në krye të Pentagonit në administratën e presidentit George W. Bush. Ditë më parë, kundër Trumpit, i cili nuk e përjashtonte nxjerrjen e ushtrisë në rrugë për të shtypur protestat, ka dalë edhe ish-sekretari i tij i Mbrojtjes, James Mattis, një prej ushtarakëve më të respektuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton KOHA.
“Mendoj se çfarë po shohim tani, këtë lëvizje masive protestash që nuk e kam parë gjatë jetës time, sugjeron se vendi po tregohet i urtë ndaj kësaj dhe se nuk do të shkojmë më larg”, ka deklaruar Powell, gjeneral i pensionuar. I pyetur nëse pajtohet me fjalët e Mattisit se presidenti “po pretendon të unifikojë vendin”, Powell vetëm sa i ka fuqizuar kritikat e tij kundër Trumpit. “Dua të them, duhet të pajtoheni me këtë, shikoni çfarë ka bërë për të na përçarë”, ai. “Pajtohem me ish-kolegët e mi”.
“Demokracia në defensivë”
Ndërkohë, revista politike gjermane “Der Spiegel” ka vlerësuar se në Amerikën e Trumpit “demokracia është në defensivë”.
“Koronavirusi, kolapsi ekonomik dhe demonstratat masive për barazi racore: Shtetet e Bashkuara po përballen me një treshe krizash të thella. Në vend se të ofrojë lidership, presidenti Donald Trump po përshkallëzon ndasitë dhe po tregon tendenca autoritare”, ka vlerësuar “Der Spiegel”. “Me zgjedhjet presidenciale edhe disa muaj larg, në dyshim po vihet shëndeti i vendit”.
Presidenti Trump u ka thënë këshilltarëve të tij javën e kaluar se dëshiron vendosjen e 10 mijë trupave në Washington për t’i ndalur trazirat civile. Raportimet për kërkesën e Trumpit tregojnë se sa afër kërcënimit ka qenë ai dhe se do të vendosë ushtarë aktivë, pavarësisht kundërshtimit nga Pentagoni. Gjatë takimit në Zyrën Ovale, sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, këshilltari më i lartë ushtarak i presidentit, gjenerali Mark Milley, dhe gjykatësi i përgjithshëm, William Barr, këshilluan kundër një vendosjeje të tillë.
Protesta të mëdha paqësore janë zhvilluar në të gjithë SHBA-në kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë në ditën e 12-të të protestave për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd. Dhjetëra-mijëra njerëz marshuan rrugëve të Washingtonit dhe kjo ishte protesta më e madhe e mbajtur deri më tani. Forcat e sigurisë bllokuan çdo qasje afër Shtëpisë së Bardhë. Turmat e njerëzve demonstruan gjithashtu edhe në New York, Chicago, LA dhe San Francisco. Floyd, një afro-amerikan i paarmatosur, vdiq në mbajtjen e policisë në Minneapolis më 25 maj. Polici Derek Chauvin është pushuar nga puna dhe është akuzuar për vrasje. Protesta të mëdha kundër racizmit u zhvilluan edhe në shumë vende si: Mbretëria e Bashkuar, Australia, Franca, Gjermania dhe Spanja.