OpEd

Ushtria e Trumpit?

Parada ushtarake që Trumpi e organizoi në Washington – në nderim të 250-vjetorit të Ushtrisë dhe të ditëlindjes së tij – u përshkrua gjithandej si “plandosje”, në të cilën rreth 6.600 ushtarë me veshje luftarake ecën, nuk marshuan, përkrah një turme të rrallë njerëzish. Siç shkojnë spektaklet e lavdisë ushtarake, nuk ishte si në Fenian apo në Sheshin e Kuq. Unë nuk isha aty. Sikurse të paktën katër milionë njerëz të tjerë në SHBA atë ditë, unë isha në njërin prej tubimeve “No King’s” kundër Trumpit, që u mbajt në rreth 2.100 qytete përreth vendit. Ishte kjo protesta politike më e madhe e mbajtur në një ditë në të gjithë historinë e SHBA-së, e cila e zvogëloi praninë në paradën e Trumpit dhe dëshmoi se një demokraci ekziston vetëm nëse populli ekziston, dhe një popull ekziston vetëm në vetëdijen e individëve për njëri-tjetrin dhe për nevojën e tyre për të vepruar bashkërisht. Kjo vetëdije është armiku më i madh i Trumpit

Timothy Snyder

Toronto, 3 korrik – Është më se e vërtetë që regjimet autoritetet ngrihen apo rrëzohen bazuar në besnikërinë e forcave të sigurisë, e presidenti amerikan, Donald Trump, pak çka ia la rastësisë qëkur u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Sekretari i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, menjëherë i spastroi me dhjetëra gjeneralë të lartë, përfshirë udhëheqësin e Shtabit të Shefave, teksa në fillimmaj e urdhëroi reduktimin për 20 për qind të numrit të gjeneralëve me pesë yje dhe për 10 për qind atë të gjeneralëve me rang më të ulët.

Por qe një fjalim i mbajtur para trupave ushtarake një muaj më vonë, në një bazë të emërtuar sipas një gjenerali të Konfederatës, ai që e zbardhi më së qarti konceptin e Trumpit për siguri kombëtare dhe rolin e forcave të armatosura për jetësimin e tij. Ai nuk e përmendi botën e së sotmes, nuk iu adresua interesave të përbashkëta amerikane që mund ta bëjnë të domosdoshme mbrojtjen kombëtare dhe nuk shprehu shqetësim për kërcimet nga Kina apo okupimi rus në Ukrainë. Dhe përderisa presidentët amerikanë rëndom flasin për heroizma individualë si dëshmi për një shtet që ia vlen të mbrohet, Trumpi nuk foli gjë për të drejtat e çmuara kushtetuese, si liria e shprehjes apo e tubimi, dhe nuk e tha as edhe një fjalë të vetme për demokracinë. Amerika nuk ekzistoi në fjalimin e Trumpit.

Në vend të kësaj, Trumpi e përdori historinë ushtarake të SHBA-së për ta ngritur një kult për veten. Arritjet madhore në fushëbeteja u shndërruan në vepra të performuara për kënaqësinë e një lideri, që më pas u bazua në to për ta justifikuar pushtetin e tij permanent. Madhështia ushtarake u shndërrua në një spektakël, në të cilin lideri mund ta injektojë çfarëdo kuptimi.

Ky është parimi fashist që Trumpi e kupton. E gjithë politika është luftë dhe ai që arrin ta zbërthejë armikun mund të mbetet në pushtet. Por përderisa historikisht fashistët patën një armik nga jashtë dhe një brenda, Trumpi e ka armikun veç përbrenda. Kjo dhe është arsyeja përse, menjëherë pasi iu bashkua Izraelit në sulmet ndaj Iranit, shpalli ngutas fitore – dhe armëpushim. Bota është shumë për të. Ushtria është veç për dominimin e amerikanëve.

Armiku u identifikua në krahasimin që e bëri Trumpi midis amerikanëve që kapën emigrantë pa dokumentacione më 2025 dhe guximit që breza të mëhershëm demonstruan tek luftuan në Luftën Revolucionare, në dy luftërat botërore, të Koresë apo të Vietnamit. Ta kapërcesh hendek apo të kërcesh prej aeroplani janë natyrisht gjëra shumë ndryshe sesa t’i bashkohesh një studenti në diplomim apo ta ngacmosh një rrobaqepës në moshë të mesme. Por këtu e shohim synimin e Trumpit: Ta përgatisë ushtarin amerikan për ta parë veten hero kur merr pjesë në operacione të brendshme kundër njerëzve të paarmatosur, përfshirë edhe shtetasit amerikanë.

Në fjalimin e tij, Trumpi e portretizoi veten si më shumë sesa veç president. Vazhdimisht i përqeshi pararendësit e tij (“A mendoni se kjo turmë këtu do të dilte për Bidenin?”), tek u bëri thirrje ushtarëve ta sfidojnë idenë që shërbimi i tyre është për Kushtetutën e jo për një person. Një personalizim i këtillë dhe i pashembullt i Presidencës sugjeron se autoriteti i Trumpit bazohet në edhe diçka tjetër përveç zgjedhjeve, në diçka të ngjashme me karizmin individual apo madje edhe në një të drejtë hyjnore. Ushtarët duhet ta ndjekin Trumpin, ngase ai është Trump.

Shumica e amerikanëve e kanë mendimin se ushtria amerikane është për t’i mbrojtur e jo për t’i sulmuar. Por Trumpi e shfrytëzoi rastin për t’i nxitur ushtarët në ngacmimin e bashkëkombësve të tyre amerikanë, që t’i bashkohen atij në ngacmimin e gazetarëve, në një kontroll kritik ndaj tiranisë, e cila, ashtu sikurse protestuesit, mbrohet nga amendamenti i parë i Kushtetutës.

Trumpi i mësoi ushtarët se shoqëria dhe ligji nuk kanë rëndësi. Veç ai ka rëndësi dhe ai “i do” ushtarët aq shumë – “Po ju ofrojmë ngritje page të përgjithshme”. Kjo është mënyra se si një diktator i flet një rojë pallati apo një paramilitari.

Po bëhemi dëshmitarë të një tentimi për ndërrim regjimi, plot me perversitete. Kjo e ka një komponentë historike: Duhet t’i festojmë tradhtarët e Konfederatës, si Robert E. Lee, që u rebeluan kundër SHBA-së në mbrojtje të skllavërisë. E ka një komponentë fashiste: Duhet ta përqafojmë momentin e tanishëm si përjashtim, në të cilin të gjitha gjërat i janë të lejueshme liderit. Dhe natyrisht, e ka edhe një komponentë institucionale: Ushtarët janë të destinuar të jenë avangardë të rënies së demokracisë, punë e të cilëve është t’i shtypin armiqtë e zgjedhur të liderit – brenda SHBA-së.

Përshkrimi i emigracionit si “okupim”, siç bëri Trumpi në fjalimin e tij, e ka për qëllim mjegullimin e dallimit midis politikës së migrimit të administratës së tij dhe një lufte të huaj. Por ka për qëllim njashtu që ta transformojë misionin e Ushtrisë amerikane. Nëse ushtarët dhe të tjerët janë të gatshëm të besojnë se migrimi është “okupim”, atëherë ata që nuk pajtohen me ta do t’i shohin si armiq. Dhe kjo është pikërisht ajo që Trumpi u zotua ta arrijë kur i portretizoi zyrtarët e zgjedhur në Kaliforni si bashkëpunëtorë të “një okupimi... me pushtues kriminelë”.

Ushtria amerikane, sikurse institucionet e tjera amerikane, përfshijnë njerëz të sfondeve të ndryshme. Ajo varet së tepërmi nga afro-amerikanët dhe joshtetasit. Përpjekja për ta transformuar atë në një kult të Konfederatës dhe në mjet për persekutimin e emigrantëve do të shkaktonte fërkim të madh dhe dëm të madh për reputacionin e saj, veçanërisht nëse ushtarët amerikanë vrasin civilë amerikanë. (Ka rrezik po ashtu që provokuesit, përfshirë të huajt, të provojnë ta vrasin një ushtar amerikan). 
Trumpi do t’i mirëpriste dhe t’i shfrytëzonte situatat e tilla. Ai dëshiron që gjithçka të sillet përreth tij. E dëshiron një ushtri që është njësi paramilitare personale. Ai dëshiron që turpi i historisë sonë kombëtare të shndërrohet në nderin tonë. Dëshiron ta transformojë një Republikë të tërë në një regjim fashist, në të cilin vullneti i tij është ligj. 

Por çfarë duan ushtarët amerikanë? Fjalimi i Trumpit është një çështje shumë e kuruar, me pjesëtarë të audiencës të përzgjedhur bazuar në qëndrimet e tyre politike dhe paraqitjen fizike. Megjithëkëtë, katër ditë më vonë, parada ushtarake që Trumpi e organizoi në Washington – në nderim të 250-vjetorit të Ushtrisë dhe të ditëlindjes së tij – u përshkrua gjithandej si “plandosje”, në të cilën rreth 6.600 ushtarë me veshje luftarake ecën, nuk marshuan, përkrah një turme të rrallë njerëzish. Siç shkojnë spektaklet e lavdisë ushtarake, nuk ishte si në Fenian apo në Sheshin e Kuq.

Unë nuk isha aty. Sikurse të paktën katër milionë njerëz të tjerë në SHBA atë ditë, unë isha në njërin prej tubimeve “No King’s” kundër Trumpit, që u mbajt në rreth 2.100 qytete përreth vendit. Ishte kjo protesta politike më e madhe e mbajtur në një ditë në të gjithë historinë e SHBA-së, e cila e zvogëloi praninë në paradën e Trumpit dhe dëshmoi se një demokraci ekziston vetëm nëse populli ekziston, dhe një popull ekziston vetëm në vetëdijen e individëve për njëri-tjetrin dhe për nevojën e tyre për të vepruar bashkërisht. 

Kjo vetëdije është armiku më i madh i Trumpit.

(Timothy Snyder, autor dhe redaktor i 20 librave, është kryesues inaugurues i “Modern European History” në shkollën për Marrëdhënie Globale dhe Politika Publike në Universitetin e Torontos, si dhe është anëtar i përhershëm i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).