Botë

Pothuajse një në tre persona në Gaza nuk ka ngrënë për ditë të tëra

Pothuajse një në tre persona në Gaza nuk ka ngrënë për ditë të tëra

Pothuajse një e treta e popullsisë në Rripin e Gazës po kalon ditë pa ngrënë fare, ka paralajmëruar Programi Botëror për Ushqim (WFP) i Kombeve të Bashkuara.

“Në Gaza, kequshqyerja po rritet me shpejtësi. Rreth 90 mijë gra dhe fëmijë kanë nevojë urgjente për trajtim”, thuhet në një deklaratë të WFP-së dhënë agjencisë franceze të lajmeve AFP.

Paralajmërimet për uri ekstreme në Gaza janë shtuar gjatë kësaj jave. Vetëm të premten, nëntë persona të tjerë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në këtë territor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga uria në 122 që nga fillimi i luftës.

Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e ndihmave në Gaza, mohon të ketë vendosur ndonjë kufizim për furnizimet dhe fajëson Hamasin për gjendjen e rënduar humanitare.

Një zyrtar izraelit i sigurisë ka thënë të premten se mund të lejohet hedhja ajrore e ndihmave në ditët në vijim – një metodë për të cilën organizatat humanitare kanë paralajmëruar më parë se është e paefektshme për të dërguar furnizime në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt.

Ndërkohë që mediat lokale raportuan se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania do të realizojnë këto hedhje, një zyrtar i lartë jordanez ka thënë se ushtria ende nuk ka marrë leje nga Izraeli për ta bërë një gjë të tillë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar këtë veprim si një “shmangie e përgjegjësisë për mosveprim” nga ana e qeverisë izraelite.

Ky zhvillim vjen në një kohë me shqetësim në rritje ndërkombëtar për kushtet humanitare në Gaza. Të premten, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i bënë thirrje Izraelit që “të heqë menjëherë kufizimet për hyrjen e ndihmave” në këtë territor të rrethuar.