Zjarret kanë vazhduar të përfshijnë edhe të dielën Evropën me zjarrfikësit që po luftojnë flakët e rrëmbyeshme në shtete të ndryshme të Mesdheut. Vatrat më të rrezikshme të zjarrit kanë kapluar Portugalinë, ku një pilot ka humbur jetën gjatë aksioneve për shuarjen e zjarreve.
Deri tani është raportuar për më shumë se 160 zjarrfikës të lënduar në aksione të ndryshme në juglindje të vendit. Edhe në Spanjën fqinje po luftohen flakët e zjarreve që kanë nisur të përhapen në mbarë vendin.
Vala e dytë e të nxehtit që ka përfshirë Spanjën ka bërë që të shënohen temperatura prej më shumë se 40 shkallësh celsius. Sivjet kanë nisur të shfaqen zjarre më herët se viteve të kaluara në muajt e verës në Evropë.
Zyrtarët kanë thënë se thatësia e madhe është rezultat i pranverës së nxehtë. Shkencëtarët thonë se përhapja e zjarreve në mbarë Mesdheun ka ardhur si pasojë e ndryshimit klimatik. Pothuajse të gjitha vendet mesdhetare po përballet me përhapje të zjarreve.