Botë

Portugalia është kthyer në “hotel me 5 yje” për pensionistët britanikë

portugalia

Ken MacKenzie dhe gruaja e tij, Diane, kanë vendosur që pas pensionimit të jetojnë përgjithmonë në Portugali. Ata e kanë shndërruar vilën e tyre në shtëpi të përhershme, duke përfituar nga klima e mirë dhe stili i jetesës në këtë lokacion popullor për pensionistët britanikë. Megjithatë, ata u përballën me disa pengesa burokratike, siç janë kërkesat për viza dhe rregullat e ndryshme tatimore, përpara se të mund të stabilizoheshin në vend. Portugalia ka qenë prej kohësh vend tërheqës për qytetarët britanikë. Jo vetëm që moti është më i mirë dhe kostoja e jetesës është më e ulët, por gjithashtu është relativisht e lehtë që të sigurosh leje të qëndrimit – dhe deri në kohët e fundit – ka pasur edhe ulje të mëdha taksash për qytetarët e huaj. E bazuar në vlerësimet e fundit, rreth 50 mijë qytetarë britanikë jetojnë në shtetin iberik.

Ken MacKenzie ka dashur gjithmonë të kalojë kohë në shtëpinë e tij të pushimeve në Praia d’El Rey, në Portugali. Kështu që, pas daljes në pension në vitin 2021, ai i kishte filluar përpjekjet për ta bindur gruan e tij, Diane, që të zhvendoseshin atje përgjithmonë.

Çifti kishte blerë një parcelë toke në veri të Lisbonës në vitin 2007. Në fillim, kishin pasur disa vështirësi sa i përket nisjes së projektit të tyre për shkak të krizës financiare, por deri në vitin 2011 ata kishin një vilë me pesë dhoma gjumi – duke përfshirë pishinën dhe pamjen nga deti.

Gjatë pushimeve të shkollës, çifti, së bashku me katër fëmijët e tyre, shkonin dhe qëndronin atje për disa javë me radhë. Ndërkaq, MacKenzie ka udhëtuar shpeshherë për në Londër, ku edhe ka punuar si partner në një firmë të kontabilitetit.

“Ka qenë gjithmonë në mendjen time që mund të jetonim këtu në të ardhmen, por duhet ta pranosh që gjërat do të jenë ndryshe”, ka thënë MacKenzie, 64 vjeç. “Duhet të heqësh dorë nga rutina jote dhe kontakti i përditshëm me miqtë dhe familjen”.

Përfundimisht, në marsin e 2024-s, familja e pati marrë vendimin që ta kthente vilën e pushimeve në shtëpinë e tyre të përhershme.

Portugalia ka qenë përherë lokacion i popullarizuar për qytetarët britanikë. Jo vetëm që moti është më i mirë dhe kostoja e jetesës është më e ulët, por gjithashtu është relativisht e lehtë që të sigurosh leje të qëndrimit – dhe deri në kohët e fundit – ka pasur edhe ulje të mëdha taksash për qytetarët e huaj.

Vlerësohet se rreth 50 mijë qytetarë britanikë jetojnë në shtetin iberik.

Ata që duan të zhvendosen në Portugali duhet që paraprakisht të aplikojnë për vizë, dhe pastaj, sapo të zbarkojnë në vend, iu duhet që të bëjnë kërkesë edhe për leje të qëndrimit.

E kjo leje është zakonisht e vlefshme për dy vjet, porse ekziston mundësia që të zgjatet edhe për tre vjet të tjera, sipas Gilda Pereira, zyrtare nga Agjencia portugeze e Migracionit “Ei”.

Pasi të keni jetuar në Portugali për pesë vjet me këtë leje qëndrimi, vetëm atëherë mund të aplikoni për leje të përhershme të qëndrimit ose për shtetësi. Për të gjitha këto, duhet të ofrohet dëshmia se keni të ardhura të mjaftueshme për të jetuar në këtë vend.

Përfitimi nga “programi i artë i vizave”

Pas “Brexit” (Largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian), ka dalë në sipërfaqe i ashtuquajturi “programi i artë i vizave” që është i hapur për banorët e Britanisë së Madhe që duan të lëvizin e jetojnë në Portugali. Në rrafshin procedural, ky lloj i vizës mund të sigurohet nga ata që investojnë ose blejnë pronë në vend, ndonëse nuk kërkon domosdo që të jetoni atje përherë.

Megjithatë, Pereira ka theksuar se mundësia më e zakonshme për pensionistët britanikë është “viza D7”, e cila është në dispozicion për qytetarët e shteteve jo-anëtare të BE-së, që mund të dëshmojnë se kanë fonde të mjaftueshme për veten – me €870 në muaj për person ose €1,305 në muaj për çiftet.

Disa qytetarë të huaj ishin të kualifikuar për skemën e taksave për “Residentët jo të zakontë” (NHR), e cila ofronte ulje të mëdha taksash për banorët e huaj – duke përfshirë normë të reduktuar tatimore prej 10 për qind për të ardhurat nga pensionet britanike. Kjo skemë kishte mbaruar në vitin 2024, megjithatë ata që janë të kualifikuar tashmë mund ta përfitojnë atë për 10 vjetët e ardhshme.

Familja e MacKenziet ishte zhvendosur në Portugali para se skema të përfundonte, kështu që ata mund ta shijojnë këtë ulje tatimore.

“Është tërheqëse që ka përfitime tatimore, por ne do të kishim lëvizur këtu gjithsesi”, ka thënë ai.

Skema “NHR” është zëvendësuar me planin e ri, të njohur si “IFICI”, i cili nuk ofron ulje tatimesh për të ardhurat nga pensionet.

Megjithatë, përparësia më e madhe është se nuk ka taksë trashëgimie në Portugali. Kjo taksë u hoq në vitin 2004, dhe në vend të saj, banorët paguajnë normë fikse prej 10% mbi pasuritë e trashëguara – sidoqoftë, të afërmit, përfshirë bashkëshortin, fëmijët ose prindërit që e trashëgojnë pasurinë, janë të përjashtuar nga kjo taksë.

Të gjithë ata që regjistrohen si banorë në Portugali kanë të drejtë të shfrytëzojnë edhe shërbimin kombëtar shëndetësor. Por, ndryshe nga sistemi shëndetësor në Britaninë e Madhe, qasja në këto shërbime nuk është falas, ndonëse tarifat janë relativisht të ulëta – €5 për të caktuar termin me mjekun e familjes dhe 15€ për të shkuar në urgjencë.

Sipas Pereiras, “shumë persona zgjedhin Portugalinë për motin, njerëzit miqësorë dhe stilin e shëndetshëm të jetesës”. “Megjithatë, burokracia mund të shfaqet si problem për ta. Aplikimi për vizë dhe leje të qëndrimit mund të jetë i vështirë, prandaj është e nevojshme që të gjeni dhe kontaktoni ndonjë profesionist i cili mund t’iu ndihmojë me procedurat”.

“Të lëvizësh në shtet tjetër është si të ndërrosh shtëpinë. Dhe pastaj, nëse je duke u marrë edhe pensionin në të njëjtën kohë, do të thotë se duhet të ndryshosh mënyrën e të menduarit, duke kaluar nga kursimi në shpenzim. Mund të jetë sfidë e madhe”, ka shtuar MacKenzie.

Për të, pensionimi në Portugali është gjithçka që kishte shpresuar. Ai noton çdo ditë dhe shfrytëzon saunën. Luan golf, shëtit me qenin e tij, Gizmo, shijon çiklizmin dhe shkon në palestër. Plazhi më i afërt është vetëm 250 metra larg.

“Ndihesh sikur jeton në hotel me pesë yje”

“Moti është shumë më i mirë sesa në Britaninë e Madhe dhe është stil jetese shumë më i orientuar në hapësirat e jashtme. Më pëlqen të ulem në tarracë dhe t’i shikoj valët, është vend i jashtëzakonshëm. Ndihesh sikur jeton në hotel me pesë yje”, ka thënë ai. “Të kesh shtëpinë e pushimeve këtu i ka bërë gjërat shumë më të lehta. Mendoj se do të ishte e frikshme të lëviznim nëse nuk do të kishim kaluar kohë këtu më parë”.

Portugalia është njëri nga vendet më të përballueshme për të jetuar në Evropë. Sipas konsulencës “Immigrant Invest”, shpenzimet për ushqim shkojnë deri në €300 për muaj, bileta mujore e udhëtimit kushton €40, gjersa një litër karburant vetëm €1.87.

Bazuar në përllogaritje, një person i vetëm ka nevojë për rreth €1,780 në muaj për të jetuar rehat, përfshirë qiranë.

Çmimet e pasurive të paluajtshme ndryshojnë varësisht se ku ndodhesh në Portugali, nga rreth €1,500 për metër katror në rajonin e Alentejos, në qendër dhe jug të vendit, deri në €3,644 për metër katror në Lisbonën qendrore.

Sipas zyrës kombëtare të statistikave të Portugalisë, çmimet e pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin janë rritur me një shifër prej 16.3 për qind gjatë vitit 2024 e deri në tremujorin e parë të vitit 2025.

MacKenzie dhe gruaja e tij e zvogëluan shtëpinë e tyre në Britaninë e Madhe dhe blenë pronë më të vogël në “Tunbridge Wells” para se të zhvendoseshin, përderisa tani e japin atë me qira për të siguruar të ardhura të qëndrueshme. Ai gjithashtu përfiton të ardhura nga investimet dhe tërheq para prej pensionit të tij privat.

Çifti do të marrë pensionin e plotë shtetëror pas disa vitesh, dhe Portugalia është njëri nga vendet ku pensionistët e huaj mund të përfitojnë ende nga rritjet vjetore të pagesave – falë sistemit të vlefshëm të “triple lock” të Britanisë së Madhe. Megjithatë, kjo varet nga vendi ku dilni në pension, pasi mund të mos shijoni këtë përfitim në disa shtete.

Për këdo që mendon të lëvizë jashtë shtetit, MacKenzie ka rekomanduar që ata të marrin pjesë nëpër organizime dhe ngjarje të ndryshme, me qëllimin për të mësuar më shumë rreth procesit. “Dhoma portugeze e Tregtisë organizon ngjarje të tilla në rrugë çdo gjashtë muaj në Britaninë e Madhe, e cila është shumë e dobishme. Mediat sociale gjithashtu mund të jenë të dobishme, por ka shumë informacione të gabuara atje”, ka thënë ai.

Kërkimi i këshillës profesionale mund të vlejë gjithashtu për disa nga aspektet më të ndërlikuara të procesit, teksa çifti pati vazhduar të konsultohet me agjentin e pasurive të paluajtshme, që kujdesej për vilën e tyre, edhe kur ata ishin ende në Britaninë e Madhe, për t’i ndihmuar me çdo problem që mund të shfaqej përgjatë rrugës.

“Portugalishtja nuk është gjuhë e lehtë, dhe ne as nuk e flasim por as nuk e lexojmë rrjedhshëm, kështu që të kem atë ndihmë ka qenë shumë e dobishme. Mund të jetë gjithashtu problem nëse nuk e ndiqni saktë sekuencën e gjërave, për shembull, të hyni në sistemin tatimor të Portugalisë ndërkohë që po e largoni veten nga Britania e Madhe mund të jetë e vështirë, sepse vitet fiskale janë ndryshe”, ka shtuar MacKenzie.

Viti fiskal në Portugali përkon me vitin kalendarik nga 1 janari deri më 31 dhjetor, ndryshe nga Britania e Madhe, ku viti fiskal shkon nga 6 prilli deri më 5 prill të vitit pasues, kështu që mund të rastis ndonjë vit ku duhet të dorëzohen deklarata tatimore në të dyja vendet.

“Duhet të jeni realistë për atë që dëshironi ta merrni përsipër vetë dhe ku keni nevojë për ndihmë”.