Botë

Populisti Orban e krahason liberalizmin me virus

Orban e ka quajtur veten si një kampion i asaj që ai e quan “demokracia joliberale”, duke shkaktuar polemika dhe duke ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian dhe gjetkë për rrëshqitjen e Hungarisë drejt sundimit autoritar. Ai e ka përshkruar veten si mbrojtës i të ashtuquajturit krishterim evropian kundër emigrantëve myslimanë, progresistëve dhe “lobit LGBTQ”

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka krahasuar liberalizmin me virus në fjalimin hapës të Konferencës për Aksion Konservator në kryeqytetin hungarez, duke krijuar peizazhin e lëvizjes botërore të krahut të djathtë që mobilizohet për të mposhtur “elitat progresive”.

Fjalimi i Organit ishte për betejën ndaj asaj që ai vazhdimisht e ka përshkruar si “kulturë të zgjimit” dhe vazhdimisht ka kritikuar temat e nxehta kulturore siç janë të drejtat e transgjinorëve dhe LGBTQ+, migracioni dhe përmbajtja e arsimit për fëmijët.

Konferenca dyditore, e dyta në Hungari në vitet e fundit, përmbante tituj si “Bëni fëmijë jo luftëra” dhe “Nuk ka shtet për burra të zgjuar”.

Pasi u duartrokit, Orbani ka thënë se Hungaria është bërë e famshme për politikat e saj të ashpra ndaj migracionit dhe kulturës dhe të pranishmëve u tha se do t’u jepte recetën për vendosjen e politikave të ngjashme nëpër shtetet e tyre.

“Pa migrim, pa gjini, pa luftë”, ka thënë Orbani, duke i kërkuar audiencës së tij ndërkombëtare që të përqendrohet në këto çështje në vendet e tyre.

“Hungaria është në fakt një inkubator ku bëhen eksperimente për të ardhmen e politikave konservatore. Hungaria është vendi ku ne nuk folëm vetëm për mposhtjen e progresistëve dhe liberalëve dhe për shkaktimin e një kthese politike konservatore të krishterë, por ne në fakt e bëmë atë”, ka thënë Orban.

Orban e ka quajtur veten si një kampion i asaj që ai e quan “demokracia joliberale”, duke shkaktuar polemika dhe duke ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian dhe gjetkë për rrëshqitjen e Hungarisë drejt sundimit autoritar. Ai e ka përshkruar veten si mbrojtës i të ashtuquajturit krishterim evropian kundër emigrantëve myslimanë, progresistëve dhe “lobit LGBTQ”.

Në vitin 2021, partia e tij e krahut të djathtë “Fidesz” ndaloi përshkrimin e homoseksualitetit ose ndryshimin e seksit në media që synonin personat nën 18 vjeç. Informacioni mbi homoseksualitetin ishte gjithashtu i ndaluar në programet e edukimit seksual në shkolla, ose në filma dhe reklama të aksesueshme për të miturit.

Të enjten, Orban ka argumentuar se liberalizmi synonte të degradonte kombet, gjë që kishte çuar në rënien e Perëndimit pas Azisë në treguesit ekonomikë dhe demografikë.

“Lëvizja e zgjuar dhe ideologjia gjinore janë pikërisht ato që kanë qenë komunizmi dhe marksizmi”, ka thënë ai. “Ata e ndanë kombin artificialisht në pakica për të ndezur grindje mes grupeve”.

Orban ishte lideri i parë kombëtar evropian që miratoi publikisht kandidaturën e ish-presidentit Donald Trump në vitin 2016 dhe shprehu mbështetjen e tij edhe për fushatën e Trumpit në 2020. Të enjten Orbani ka thënë se ishte i sigurt se “nëse presidenti Trump do të ishte president tani, nuk do të kishte luftë që do të ndikonte sot në Ukrainë dhe Evropë”.