Duda lajmin për furnizim me aeroplanë e ka bërë të ditur gjatë konferencës në Varshavë së bashku me presidentin çek, Petr Pavel. Duda ka thënë se forcat ajrore të Polonisë do t’i zëvendësojnë MiG-ët me aeroplanët koreanë FA-50 dhe ata amerikan F-35.
Presidenti i Polonisë ka bërë të ditur se shteti i tij planifikon t’i dhurojë disa aeroplanë luftarakë Ukrainës, duke u bërë shteti i parë i NATO-s që përmbushë kërkesën e Qeverisë ukrainase për aeroplanë lufte. Polonia ka njoftuar se do të dhurojë aeroplanë “MiG-29”.
Presidenti Andrezej Duda ka thënë se brenda pak ditësh Polonia do t’ia dorëzojë katër aeroplanë sovjetikë dhe disa të tjerë që duhet riparuar do t’ia dhurojë Ukrainës në muajt në vijim. Presidenti polak ka paralajmëruar se do të jenë diku 11 a 19 aeroplanë luftarakë që do t’i dërgohen Ukrainës.
“Janë në ditët e tyre të fundit të funksionimit mirëpo hyjnë në punë”, ka thënë Duda për gjendjen e aeroplanëve.
Duda nuk ka treguar nëse shtetet tjera do të veprojnë njëjtë, ani pse Sllovakia ka thënë se është e gatshme t’ia dërgojë Ukrainës aeroplanët e vet “MiG”.
Të mërkurën, zëdhënësi i Qeverisë polake ka thënë se disa shtete që posedojnë aeroplanët “MiG” kanë konfirmuar se do t’i dërgojnë këta aeroplanë në Kiev, por ai nuk ka përmendur emrat e këtyre shteteve.
Teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka lutur shtetet perëndimore që ta furnizojnë me aeroplanë luftarakë, shtetet e NATO-s kanë hezituar për një gjë të tillë.
Para se të niste pushtimi nga Rusia, Ukraina kishte disa aeroplanë “MiG-29” që i kishte trashëguar nga rënia e Bashkimit Sovjetik, por mbetet e paqartë se sa prej tyre janë në funksion tash pas një vit lufte.
Debati nëse Ukraina joanëtare e NATO-s duhej furnizuar me aeroplanë ka nisur para një viti, por NATO-ja nuk dëshiron përshkallëzim të luftës.
Duda lajmin për furnizim me aeroplanë e ka bërë të ditur gjatë konferencës në Varshavë së bashku me presidentin çek, Petr Pavel. Duda ka thënë se forcat ajrore të Polonisë do t’i zëvendësojnë “MiG-ët” me aeroplanët koreanë “FA-50” dhe ata amerikan “F-35”.
Polonia gjithashtu ishte shteti i parë i NATO-s që dorëzoi tanket “Leopard 2” për Ukrainën.
Polonia është aleate e madhe e Ukrainës në luftën kundër Rusisë. Në këtë shtet janë mijëra trupa amerikane dhe ka pranuar mijëra refugjatë që kanë ikur nga lufta në Ukrainë.
Për shekuj me radhë ka vuajtur nga Rusia dhe i frikësohet ish-fqinjës sovjetike, ani pse është anëtare e NATO-s.
Ndërkaq, presidenti ukrainas në muajt e fundit i ka bërë presion SHBA-së që ta furnizojë me aeroplanët luftarakë “F-16”, mirëpo presidenti amerikan, Joe Biden, ka insistuar se tani për tani, Ukrainës nuk i duhen këta aeroplanë, por armatimi tokësor.
Në një intervistë për televizionin ABC, presidenti amerikan në muajin shkurt ka thënë se nuk është gati për t’i dërguar aeroplanët amerikanë “F-16” në Ukrainë.
“I kemi dërguar atij armatimin që ushtria jonë mendon se i duhet atij. Ai ka nevojë për tanke, artileri, sisteme të mbrojtjes ajrore, përfshirë HIMARS-in. Ka gjëra për të cilat ka nevojë tani dhe që ia kemi dërguar atij me qëllim që të jetë në gjendje të avancojë në këtë pranverë dhe verë e deri në vjeshtë. Tani nuk i duhen ‘F-16’”, ka thënë Bideni në këtë intervistë.