Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Polonia do t’i dërgojë Ukrainës aeroplanë MiG-29

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se shteti i tij planifikon t’i japë Ukrainës disa aeroplanë luftarakë MiG-29, raporton agjencia AP.

Kjo do ta bëjë Poloninë shtetin e parë anëtar të NATO-s që i përgjigjet kërkesës së Ukrainës për aeroplanë luftarakë.

Duda ka thënë se Polonia do t’i japë Ukrainës katër aeroplanë të prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik brenda “pak ditëve” dhe pjesën tjetër do ta dërgojë më vonë. Duda nuk ka thënë saktë se sa aeroplanë do të dërgohen në Ukrainë, por fjala që përdori mund të kuptohet mes 11 dhe 19.

“Janë në vitet e fundit të funksionalitetit, por ende janë në gjendje të mirë”, ka thënë Duda për aeroplanët luftarakë.

Duda nuk është përgjigjur nëse shtetet tjera do të bëjnë të njëjtën lëvizje, ndonëse Sllovakia ka thënë se mendon t’i dërgojë MiG-at në Ukrainë të cilët nuk i përdorë.

Të mërkurën, zëdhënësi i Qeverisë së Polonisë, Piotr Mueller, ka thënë se shtetet tjera që kanë MiG po ashtu do t’i përgjigjen thirrjeve të Ukrainës për aeroplanë luftarakë.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje Perëndimit për aeroplanë luftarakë, deri më tash shtetet anëtare të NATO-s kanë hezituar ta bëjnë këtë.

Përpara pushtimit rus të Ukrainës, shteti Ukrainas kishte dhjetëra MiG-29 të trashëguar nga koha e Bashkimit Sovjetik, por është e paqartë se sa prej tyre mbesin ende në dispozicion.

Artikuj të ngjashëm