Polonia hodhi poshtë të premten një sugjerim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se shpërthimet e dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë mund të kenë qenë një gabim, duke i përshkruar ato si një sulm të qëllimshëm rus.
Polonia, e mbështetur nga avionë të aleatëve të saj të NATO-s, rrëzoi dronët që kishin shkelur hapësirën ajrore të saj të mërkurën, hera e parë që një anëtar i aleancës perëndimore ka ndërmarrë një veprim të tillë gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
Liderët evropianë dënuan ashpër shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë dhe kërkuan sanksione të reja kundër Moskës. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh të premten pas kërkesës së Polonisë për të diskutuar incidentin.
Moska zyrtare ka deklaruar se forcat e saj po sulmonin Ukrainën në momentin e shpërthimeve dhe se nuk kishte pasur qëllim të godisnin asnjë objektiv në Poloni.
E Trump u tha gazetarëve në Washington të enjten se incidenti me dronë mund të ketë qenë një gabim.
Kryeministri polak Donald Tusk iu përgjigj në X (ish-Twitter): “Ne do të dëshironim që sulmi me dronë në Poloni të kishte qenë një gabim. Por nuk ishte. Dhe e dimë këtë”.
Polonia është ndër aleatët më të ngushtë të SHBA-së në Evropë, e lavdëruar nga administrata Trump për dedikimin e më shumë se çdo vendi tjetër të NATO-s për mbrojtjen e sigurisë, përfshirë edhe SHBA-në.
Edhe
Trump: Shtetet e NATO-s duhet t’i rrëzojnë aeroplanët rusë nëse u shkelet hapësira ajrore
E një reagim i tillë nga kryeministri polak në drejtim të Trumpit është diçka e pazakontë dhe tregon shqetësimin e Evropës për gatishmërinë e presidentit amerikan për të mbështetur versionin e Moskës.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë, Cezary Tomczyk, tha se mendon se “ky është një mesazh që duhet të arrijë te presidenti Trump sot: nuk ka asnjë dyshim për një gabim - ky ishte një sulm i qëllimshëm rus”.
Varshava e ka paraqitur incidentin me dronë si një përpjekje nga Rusia për të testuar aftësitë e Polonisë dhe NATO-s për të reaguar.
-
Tusk: Polonia do t’i rrëzojë objektet që shkelin hapësirën e saj ajrore
-
Ministri i Jashtëm i Polonisë për sulmin me dronë: Rusia po teston reagimin e NATO-s
-
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për të diskutuar për dronët rusë në Poloni
-
NATO-ja forcon mbrojtjen pas hyrjes së dronëve rusë në Poloni