Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të enjten se Rusia është ende në pritje të një përgjigje nga Ukraina sa i përket propozimit për mbajtjen e rundit të ardhshëm të bisedimeve për paqe në Stamboll më 2 qershor.
Zyrtarët rusë e propozuan mbajtjen e rundit të dytë të negociatave direkte një ditë më parë, me qëllimin për t’ia parashtruar Ukrainës memorandumin i cili ngërthen ato që po përshkruhen si elementet kyçe për “tejkalimin e shkaqeve rrënjësore” të konfliktit, ka raportuar agjencia Reuters.
Kur u pyet lidhur me sugjerimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili kërkoi nga Rusia që ta dorëzonte menjëherë memorandumin, Peskov e mohoi këtë ide dhe e quajti si “jokonstruktive”.
“Këtu, ose duhet të konfirmosh gatishmërinë për të vazhduar negociatat ose ta bësh të kundërtën”, ka thënë Peskov.
Bisedimet paraprake të mbajtura më 16 maj dështuan të prodhojnë një marrëveshje për armëpushim, për të cilën Moska zyrtare ka njoftuar se është i pamundur të arrihet para se të plotësohen disa parakushte.