Athinë. 19 janar - Greqia dhe Maqedonia mund të jenë afër fundit të mosmarrëveshjes së tyre prej një çerek shekulli lidhur me emrin zyrtar të Maqedonisë.
I dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Matthew Nimetz, thuhet se u ka propozuar pesë alternativa për emrin delegacioneve të të dy vendeve gjatë bisedimeve që zhvillohen në New York.
Sipas mediumeve të Maqedonisë, që të enjten u cituan nga ato greke, emrat e propozuar, të gjithë të paraprira nga termi "Republika e", janë: Maqedonia e Re, Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).
Edhe pse Nimetz ka thënë se procesi është duke shkuar në drejtimin e duhur, negociuesi i Maqedonisë, Vasko Naumovski, i ka cilësuar propozimet e paraqitura nga ndërmjetësi i OKB-së si alternativa "larg një zgjidhjeje dinjitoze", transmeton AA.
Athina nuk dëshiron që fqinji i saj të ketë emrin Maqedoni për shkak të ekzistencës së një rajoni në Greqi me të njëjtin emër.
Edhe
BE-ja mund t'ua mohojë shteteve të reja anëtare të drejtën e vetos
Ndërkohë, në Greqi është duke mbizotëruar një krizë qeveritare teksa bisedimet vazhdojnë.
Partia ultra-konservatore Grekët e Pavarur, e cila është pjesë e qeverisë së koalicionit kryesisht majtist, ka thënë se ajo kundërshton çdo emër që përfshin termin "Maqedoni". Partia kryesore e opozitës Demokracia e Re ende nuk ka shprehur qëndrimin e saj zyrtar për këtë çështje.
"Unë përpiqem të gjej mundësitë që kanë njëfarë realizmi. Unë vetë nuk mendoj se është realiste të presësh që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë të mos e ketë termin Maqedoni në një formë në emrin e saj", ka theksuar Nimetz.
Ndërkaq, kujtojmë se gjatë vizitës së tij në Maqedoni, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot shprehu mbështetje ndaj përpjekjeve të Maqedonisë për t'u anëtarësuar në NATO gjatë një fjalimi në kuvendin e këtij vendi.
"Ka ende punë për t’u bërë. Kjo natyrisht nënkupton zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit tuaj, kjo është një çështje shumë me rëndësi për këtë rajon dhe për vendin tuaj për një kohë të gjatë", tha ndër të tjera kreu i NATO-s në fjalën e tij.
Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO është pamundësuar për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme me Greqinë, e cila ka vazhduar për më shumë se 25 vjet.
Edhe
Merz: Ukraina të bëhet anëtare e asociuar e BE-së, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vëzhguese
“Nuk mund të bëhet një vend anëtar i NATO-s pa zgjidhur çështjen e emrit, ajo u përsërit edhe në vitin 2014 në Samitin e NATO-s dhe në Samitin në vitin 2016. Nuk ka plan B, nuk ka anëtarësim në NATO pa zgjidhjen e emrit”, theksoi Stoltenberg më vonë në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.
Ndryshe, rreth 118 vende, përfshirë Turqinë, aktualisht e njohin Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.