Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përse janë rritur tensionet përgjatë kufirit lindor të NATO-s me Bjellorusinë?

Polonia po vazhdon të dërgojë mijëra trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë, në atë që e ka quajtur si një veprim parandalues në kohën kur tensionet mes dy fqinjëve po rriten. Këto tensione midis Polonisë – një vend i NATO-s dhe Bashkimit Evropian – dhe Bjellorusisë, e cila është aleati i Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, janë rritur muajt e fundit në kufi

Polonia është duke vendosur me mijëra trupa të saj në kufi me Bjellorusinë, duke e kualifikuar veprimin si një lëvizje parandaluese në kohën e ashpërsimit të tensioneve midis dy fqinjëve.

Tensionet në mes të Polonisë, vend anëtar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, dhe Bjellorusisë, e cila është aleate e Rusisë në luftën e saj në Ukrainë, janë rritur gjatë muajve të fundit përgjatë vijës kufitare. Ja përse:

Polonia po i jepte mbështetje opozitës bjelloruse që nga zgjedhjet presidenciale të 2020-s, në të cilat lideri pro-rus, Aleksandar Lukashenko, e fitoi mandatin e gjashtë në një proces elektoral që nga Polonia dhe nga komuniteti më i gjerë perëndimor u pa si i manipuluar.

Më 2021, Bjellorusia filloi të organizojë dhe të shtyjë mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika përtej kufirit, në Poloni. Ky veprim, nga Polonia dhe nga BE-ja, u cilësua si planifikim në bashkëpunim me Kremlinin, me synim që të shkaktojë destabilitet në Evropë. Qeveria e krahut të djathtë e Polonisë, armiqësore ndaj idesë së pranimit të emigrantëve, ndërtoi një mur prej 400 mijë dollarësh që e reduktoi ndjeshëm hyrjen.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022, Polonia e dënoi sulmin dhe e ka mbështetur Kievin me pajisje ushtarake, mbështetje politike dhe ndihmë humanitare, duke përfshirë pritjen e më shumë se 1.2 milionë refugjatëve. Bjellorusia është në anën e Rusisë në këtë konflikt dhe Polonia po merr pjesë në sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj të dyja vendeve.

Edhe Polonia po e forcon kufirin me Bjellorusinë dhe planifikon ta përforcojë edhe atë me Rusinë Botë Polonia po e forcon kufirin me Bjellorusinë dhe planifikon ta përforcojë edhe atë me Rusinë

Zyrtarët shtetërorë të Bjellorusisë dhe aktivistët proqeveritar kanë formuar një grup të quajtur Komanda e Forcave Patriotike, të cilën Minsku po e përdor si një mjet politik. Në një fjalim të fundit drejtuar kombit polak, grupi ka pretenduar se politikanët polakë “po ndezin zjarrin e luftës me veprimet dhe retorikën e tyre” dhe po “nxiten nga furia e shovinizmit”.

Ndërkohë, zyrtarët në Moskë kanë akuzuar vazhdimisht Poloninë se po synon të aneksojë rajonet perëndimore të Ukrainës. Moska ka bërë të ditur gjithashtu se ka zhvendosur disa nga armët e saj bërthamore me rreze të shkurtër veprimi në Bjellorusi, afër kufirit lindor të NATO-s.

Polonia është gjithashtu e shqetësuar për praninë në Bjellorusi, të mijëra mercenarëve rusë Wagner, të cilët kohët e fundit u tha se kishin marrë pjesë në stërvitje pranë kufirit.

Përveç të qenit kufiri i NATO-s dhe BE-së, kufiri lindor i Polonisë përfshin një pikë strategjike, të ashtuquajturin Hendeku Suwalki - 96 kilometra, në kufi me Lituaninë që lidh tri shtetet baltike, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, me pjesën tjetër të aleancës së NATO-s dhe BE-së. Hendeku i ngushtë ndan gjithashtu Bjellorusinë nga Kaliningradi, një enklavë ruse e militarizuar rëndë që nuk ka lidhje tokësore me Rusinë.

Edhe Polonia planifikon dërgimin e 10,000 trupave në kufi me Bjellorusinë Botë Polonia planifikon dërgimin e 10,000 trupave në kufi me Bjellorusinë

Analistët ushtarakë në Perëndim e kanë parë prej kohësh Hendekun Suwalki si një pikë të mundshme të ndezjes së një konfrontimi midis Rusisë dhe NATO-s.

Qeveria e Polonisë ka deklaruar se nuk do të frikësohet dhe se po ndërton potencialin e saj të mbrojtjes dhe parandalimit dhe po zhvendos trupat dhe pajisjet moderne në lindje, për të forcuar kufirin me Bjellorusinë dhe me Kaliningradin. (Përktheu: Forca Jashari)