Botë

Përplasje të ashpra në varrimin e 13-vjeçarit palestinez të vrarë nga forcat izraelite

Përleshje të mëdha kanë shpërthyer të shtunën mes palestinezëve dhe ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor pasi qindra palestinezë kryen ceremoninë e varrimit të një 13-vjeçari që u vra nga forcat izraelite.

Ministri palestinez i Shëndetësisë ka thënë se Ali Abu Alia ishte qëlluar në stomak dhe kishte vdekur në spital të premten.

Ushtria izraelite ka thënë se “dhjetëra protestues” kishin hedhur gurë në drejtim të ushtarëve dhe policisë kufitare, që i ishin përgjigjur protestës “duke shpërndarë protestuesit”.

Ajo ka mohuar se ka përdorur municion për ta shuar protestën.

Të shtunën, pjesëmarrësit në varrim bartën trupin e adoleshentit të mbështjellë me flamur palestinez duke brohoritur rrugëve se “do ta shpaguajmë me shpirt e me gjak”.

Përplasjet mes të rinjve palestinezë dhe forcave izraelite në zonën e okupuar të Bregut Perëndimor janë të zakonshme. Ushtria shpesh arreston palestinezë për të cilët thotë se dyshohet se kishin planifikuar apo kishin marrë pjesë në sulme, raporton AP.

Tensionet janë të larta në këto zona. Mbi 400 mijë qytetarë jetojnë në Bregun Perëndimor, që ishte okupuar nga Izraeli më 1967.