Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sulm ndaj një autobusi izraelit në Bregun Perëndimor, të paktën tetë të lënduar

sulm

Një palestinez ka hapur zjarr ndaj një autobusi izraelit pranë vendbanimit hebre Ariel në Bregun e pushtuar Perëndimor duke lënduar të paktën tetë persona përpara se të vritej nga trupat izraelite, bëri të ditur ushtria izraelite.

Sulmi ka ndodhur të premten. Shërbimi mjekësor “MDA” i Izraelit njoftoi se katër persona pësuan plagë nga arma e zjarrit, tre prej tyre në gjendje të rëndë dhe katër të tjerë janë lënduar nga copëzat e xhamave, raporton Reuters.

Ministria palestineze e Shëndetësisë e identifikoi sulmuesin si një vendas 46-vjeçar. Brigadat e krahut të armatosur të Hamasit al-Qassam thanë se ai i përkiste grupit.

Dhuna është rritur në të gjithë Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës Hamas-Izrael në Gazë në tetor të vitit të kaluar.

Dhjetëra izraelitë janë vrarë në sulmet në rrugët palestineze, thonë autoritetet izraelite, ndërsa qindra palestinezë – duke përfshirë luftëtarë të armatosur, të rinj që hedhin gurë dhe kalimtarë civilë – kanë vdekur në përleshjet me forcat izraelite të sigurisë.