Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence të martën ka njoftuar presidentin Donald Trump se nuk ka autoritetin për të bllokuar certifikimin e presidentit të zgjedhur Joe Biden kur Kongresi të përfundojë votat elektorale, kanë thënë burime për “CNN”.
Trumpi, që tashmë ka shtuar presionin te Pence për të përmbysur zgjedhjet, e ka paralajmëruar se do të dëmtohej politikisht nëse Pence refuzon të bllokojë certifikimin.
Pence megjithatë ka njoftuar Trumpin gjatë takimit se nuk ekziston një fuqi e tillë për të ndalë procesin.
Siç raportojnë “CNN” dhe “NYTimes”, Pence iu përgjigj Trumpit në një takim në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Kjo megjithatë është mohuar nga presidenca.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë vjen pasi Pence u takua me senatorët më herët gjatë javës.
Sipas raportimit, Trumpi tani është i inatosur me Pencen dhe pritet “t’i kundërvihet” përmes fjalimit pas zgjedhjeve për senatorë në Georgia.
Trumpi vazhdimisht kishte shprehur qëndrimin se zëvendëspresidenti mund të shtyjë apo bllokojë certifikimin në Kolegjin Elektoral.
Të mërkurën, Kongresi pritet të numërojë votat elektorale. Verifikimi i tyre është detyrim kushtetues dhe është hapi i fundit para konfirmimit të Bidenit president. Republikanët planifikojnë të përdorin këtë votim për të kundërshtuar fitoren e Bidenit. Procesi udhëhiqet nga presidenti i Senatit – në këtë rast, Mike Pence.