Pas tre vitesh masa të ashpra shtrënguese, Greqia doli këtë hënën nga programi i shpëtimit të eurozonës, ndonëse sipas ekspertëve ka ende “një rrugë të gjatë përpara”.
Bashkimi Europian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i huazuan Greqisë gjithsej 289 miliardë euro (330 miliardë dollarë) në tre programe, në 2010, 2012 dhe 2015.
Reformat ekonomike që kreditorët kërkuan në kthim nxitën ekonominë e vendit, me një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) që u zhduk në tetë vjet dhe papunësia e larte që shkonte në më shumë se 27%.
Pas ndihmës së eurozonës, ekonomia e Greqisë ka shënuar rritje, deficiti publik dikur i madh është shndërruar në një suficit buxhetor dhe shkalla e papunësisë ka rënë nën 20%, thonë zyrtarët.
Qeveria greke vlerëson se nevojat e saj për financim tani mbulohen deri në fund të vitit 2022, duke krijuar hapësirë për të planifikuar kthimin e saj në tregjet e kapitalit.
Mario Centeno, kryetar i bordit të Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM), u shpreh gjatë një deklarate se: “Për herë të parë që nga fillimi i vitit 2010, Greqia mund të qëndrojë në këmbët e veta. Kjo ishte e mundur falë përpjekjes së jashtëzakonshme të popullit grek, bashkëpunimit të mirë me qeverinë aktuale greke dhe mbështetjen e partnerëve evropianë përmes huave dhe lehtësimit të borxheve. U deshën shumë më shumë se sa pritej, por besoj ia kemi dalë”.