Zjarret e mëdha në provincën Latakia të Sirisë po shkatërrojnë pyjet dhe fshatrat, duke përkeqësuar më tej situatën e vështirë në një vend tashmë të goditur nga lufta dhe kriza ekonomike. Banorët dhe vullnetarët po përballen me rreziqe të mëdha, përfshirë minat e fshehura dhe kushtet e vështira të terrenit. Megjithatë, një ndjenjë e re bashkëpunimi dhe uniteti po mbin mes komuniteteve për të mbrojtur atë që ka mbetur nga toka e tyre
Duart me rrudha të Abu Jameel Muhammedit, të nxira nga bloza dhe hiri, dridheshin teksa rrafshonte tokën e djegur përreth asaj që kishte mbetur nga pema e tij e dashur e ullirit. Në moshën 80-vjeçare, plaku sirian që kishte mbijetuar një luftë të përgjakshme civile, kolapsin ekonomik dhe sanksionet ndërkombëtare – u përlot fort nga pamja e pemës së tij të karbonizuar në oborr.
“Fshatarët më shpëtuan kur flakët po afroheshin te shtëpia ime … Unë mbijetova, por vajza ime e vetme (pema e ullirit v.j.) në këtë tokë u përpi nga zjarri. Ishte gjëja e fundit që më kishte mbetur këtu”, tha ai me zë të dridhur për pemën e çmuar që e kishte hijeshuar shtëpinë e tij të vogël në zonën Qastal Maaf të provincës bregdetare Latakia për dekada me radhë.
Plaku jeton i vetëm në atë që është shndërruar në epiqendër të zjarreve që kanë përfshirë Latakian për më shumë se një javë, duke mbijetuar me paratë që i dërgojnë vajzat që janë martuar dhe kanë emigruar jashtë – një histori e zakonshme në një vend ku shkatërrimi ekonomik ka detyruar miliona njerëz të kërkojnë mundësi në vende të tjera.
“Shtëpia ime ishte më e vogla, por më e ëmbla në fshat… e rrethova me shkurre trëndafilash dhe kisha një pemë të vetme ulliri në oborr. Tani gjithçka është zhdukur”, i tha ai Al Jazeeras, pasi zjarri përfshiu pjesën më të madhe të fshatit të tij dhe detyroi mijëra banorë të largoheshin.
Pamja përreth shtëpisë së shkatërruar të Abu Jameelit pasqyron një katastrofë më të gjerë që po zhvillohet përgjatë bregdetit mesdhetar të Sirisë. Zjarret kanë përfshirë më shumë se 14.000 hektarë tokë gjatë javës së fundit, sipas ministrit të Emergjencave dhe Menaxhimit të Fatkeqësive në Siri, Raed al-Saleh, i cili foli për Al Jazeeran në një intervistë me telefon nga vijat e para të frontit.
Një peizazh i transformuar nga zjarri
Rrugët e pjerrëta dhe të ngushta që çojnë drejt fshatrave në zonat malore të Latakias janë mbuluar me shtresa balte të zezë dhe hiri, duke e bërë të vështirë qasjen për automjetet e emergjencës që po luftojnë me zjarret.
Ajri është i rënduar nga tymi i dendur dhe i hidhur, aq sa djeg fytin dhe përlot sytë, ndërsa anët dikur të gjelbëruara të maleve janë kthyer në një peizazh të ngjashëm me sipërfaqen e Hënës – tokë e djegur dhe trungje pemësh të karbonizuara.
Vullnetari i Mbrojtjes Civile, Muhammed Baradei, 32 vjeç, doli nga një zonë e rrethuar në Qastal Maaf gjatë një pushimi të rrallë nga lufta me flakët. Uniforma e tij ishte e njollosur nga hiri dhe lagështia, ndërsa piklat e djersës përziheshin me blozën që i mbulonte ballin dhe krahët.
“Anulova pushimet kur nisën zjarret pranë Latakias. Erdha nga provinca Idlib për të ndihmuar”, tha Baradei, duke përshkruar një udhëtim rreth 100 kilometra – diçka e paimagjinueshme gjatë luftës civile në Siri, pasi do të duhej të kalonte vijën ndarëse midis regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad dhe opozitës.
“U përballëm me mjete të pashpërthyera nga konfliktet e kaluara, terren të pjerrët dhe erëra të paparashikueshme. Ekipet nga disa provinca arritën të shuajnë shumë vatra, por zjarre të reja shpërthenin vazhdimisht”.
Zjarri, që nisi më 2 korrik, është përhapur edhe më shumë si pasojë e temperaturave të larta që arrijnë në rreth 35 gradë celsius dhe nga erërat e forta, të thata – karakteristike për verat mesdhetare.
Por zjarret e këtij viti kanë një rëndësi të veçantë për Sirinë, pasi përbëjnë reagimin e parë të madh ndaj një fatkeqësie natyrore pas rënies së diktatorit shumëvjeçar al-Assad dhe regjimit të vendosur nga babai i tij më shumë se 50 vjet më parë.
Minat tokësore ndezin zjarre
Përtej sfidave të menjëhershme që sjell terreni i pjerrët dhe erërat e paparashikueshme, ekipet e shuarjes së zjarreve përballen me një rrezik të veçantë për Sirinë: trashëgimia vdekjeprurëse e më shumë se një dekade lufte.
“Nga sfidat më të mëdha me të cilat jemi përballuar kanë qenë mjetet e pashpërthyera dhe mbetjet e luftës”, tha Wesam Zeidan, 29 vjeç, një vullnetar i Mbrojtjes Civile që kishte ardhur nga provinca Hama, në juglindje të Latakias, për t’iu bashkuar përpjekjeve për shuarjen e zjarreve.
Sipas Kombeve të Bashkuara, Siria mbetet një nga vendet më të ndotura në botë për sa u përket mjeteve shpërthyese që kanë mbetur nga lufta, me rreth 11.5 milionë njerëz që jetojnë në zona të rrezikuara nga to. OKB-ja gjithashtu vlerëson se në të gjithë Sirinë ende ndodhen rreth 300.000 mina tokësore, që mund të shpërthejnë nëse hasen nga njerëz që mund t’i ndeshin pa dashje. Vetëm midis dhjetorit dhe qershorit, 369 persona kanë humbur jetën si pasojë e asaj që OKB-ja i quan “aksidente nga mjete shpërthyese”, përfshirë minat dhe pajisjet e tjera të lëna pas nga lufta.
Këto mjete shpërthyese mund të aktivizohen edhe nga zjarret që shpërthejnë pranë tyre. Rreziqet e fshehura, të shpërndara nëpër peizazh gjatë viteve të luftimeve, tani e komplikojnë çdo aspekt të përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.
Ministri al-Saleh, i cili iu bashkua ekipeve në vijën e parë, e përshkroi shkallën e dëmtimit të pyjeve të Sirisë si “rrëqethëse”. Sipas një deklarate të Ministrisë së Emergjencave dhe Menaxhimit të Fatkeqësive, të paktën 12 persona janë lënduar gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve: 10 vullnetarë kanë pësuar vështirësi në frymëmarrje, fraktura ose mavijosje, ndërsa dy civilë kanë marrë djegie të lehta.
“Gjatë vizitave të mia në terren kam parë përpjekje të jashtëzakonshme për të shpëtuar pyjet e Sirisë. Por sfidat rriten me erërat e forta dhe minat e fshehura”, tha al-Saleh, duke vënë në pah lidhjen midis një fatkeqësie natyrore dhe trashëgimisë së konfliktit që përshkruan shumë prej sfidave të sotme të Sirisë.
Rreziku në rritje nga zjarret
Siria është përballur me zjarre pyjore gjithnjë e më të rënda çdo vit, të cilat kanë lodhur burimet tashmë të rraskapitura të vendit për shkak të sanksioneve dhe më shumë se një dekade konflikti.
Zjarret e vitit 2020 ishin më të këqijat të regjistruara ndonjëherë në historinë e Sirisë, duke përfshirë dhjetëra mijëra hektarë në disa provinca.
Kjo përvojë e kaluar, theksoi Baradei, i ka shtyrë banorët e fshatrave të evakuohen menjëherë sapo flakët iu afruan shtëpive të tyre. “Kjo uli ndjeshëm mundësinë për viktima”, tha ai. Megjithatë, natyra e shpërndarë e vendbanimeve të vogla, ndonjëherë jozyrtare, të përhapura në zonat malore, e ka vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të shuarjes së zjarreve, shpjegoi ai.
“Sa mbarojmë së shuari një zjarr, shpërthen një tjetër. Për shkak të sezonit të thatë, valës së nxehtësisë së paprecedentë dhe shpejtësisë së madhe të erërave, vazhdojnë të shfaqen pika të reja zjarri”, tha Zeidan, i lodhur pas ditësh me punë të pandërprerë.
Shpejtësia e erës u rrit ndjeshëm ditën e dytë të zjarreve, duke detyruar disa qendra të Mbrojtjes Civile Siriane dhe njësi zjarrfikëse nga disa provinca të mobilizoheshin. Edhe pse fillimisht arritën të kontrollonin shumë vatra zjarri, mëngjesin pasues flakët ishin përhapur në zona të reja, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm shuarjeje dhe ndezjeje që ka karakterizuar gjithë javën e fundit.
“Tani situata është ndryshe”
Ndryshimi në peizazhin politik të Sirisë ka sjellë një transformim thelbësor në reagimin ndaj zjarreve, sipas vullnetarëve dhe zyrtarëve. Gjatë luftës civile 2011–2024, banorët e zonave të kontrolluara nga opozita nuk mund të hynin në provincat nën kontrollin e qeverisë për shkak të pasigurisë dhe pikave patrulluese të shumta ushtarake.
“Para se regjimi i Assadit të binte, nuk mund të vizitonim këto pyje. Nuk na preokuponte aq shumë kur shihnim lajme për zjarre në verat e kaluara”, shpjegoi Baradei. “Por tani situata është ndryshe. Jemi këtu dhe duhet të veprojmë”.
Kjo ndjenjë e re uniteti ka mobilizuar ekipe zjarrfikëse nga e gjithë Mbrojtja Civile dhe Departamenti i Pyjeve në Siri. Aeroplanë sirianë, turq, jordanezë dhe libanezë fluturojnë mbi flakë, duke ofruar mbështetje ajrore për operacionet e kontrollit – një nivel bashkëpunimi që do të ishte i pamundur nën izolimin ndërkombëtar të qeverisë së mëparshme.
Pavarësisht rrezikut që vjen nga minat e fshehura dhe mjetet e pashpërthyera të shpërndara në peizazh gjatë viteve të konfliktit, Baradei thotë se morali në mesin e ekipeve të Mbrojtjes Civile mbetet i lartë. “Jemi të vetëdijshëm për rrezikun e madh që paraqesin këto zjarre për Sirinë”, tha ai.
“Këto pyje janë pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët. Kjo është ajo që na shtyn përpara… sepse të gjithë i përkasim kësaj toke”.