Është shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia, babi i një djali të armatosur në shkollën e Miçiganit, i cili kishte vrarë katër studentë, tri vjet më parë.
Në seancën gjyqësore ndaj tij të enjten në mbrëmje u tha se James Crumbley, 47 vjeç, kishte injoruar nevojat e shëndetit mendor të djalit të tij 15-vjeçar, duke i blerë atij pistoletën që e përdori në sulmin e nëntorit të vitit 2021.
Jennifer Crumbley, gruas së tij, do t’i caktohet dënimi muajin e ardhshëm pasi edhe ajo u shpall fajtore për të njëjtat akuza.
Çështja kundër Crumbleys shënon herën e parë që prindërit akuzohen për vrasje nga pakujdesia për rolin e fëmijës së tyre në vrasje, në SHBA.
Djali i tyre, Ethan, vrau bashkënxënësit Tate Myre, 16 vjeç, Hana St Juliana, 14, Madisyn BaldWin, 17 vjeç dhe Justin Shilling, 17. Shtatë persona u plagosën gjithashtu nga të shtënat.
Ai po vuan dënimin me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.
Steve St Juliana, babai i Hanës, ka thënë të enjten në mbrëmje se ndjekja penale e Crumbleys shënojnë "vetëm hapat e fillimit" kur bëhet fjalë për trajtimin e dhunës me armë në SHBA.
"Fëmijët tanë po vdesin çdo ditë në vrasje masive dhe ne bëjmë shumë pak për këtë”, është shprehur ai.
"Ne mund të vendosim njerëz në Hënë, ne mund të ndërtojmë rrokaqiejt, monumente të mëdha si Diga Hoover dhe nuk mund t'i mbajmë fëmijët tanë të sigurt në shkolla”, ka shtuar ai.
Crumbleys u akuzuan nga policia brenda disa ditësh pas vrasjeve. Fillimisht, prindërit duhej të gjykoheshin së bashku, por në nëntor kërkuan gjykime të ndara.
Të dyve do t'u caktohet dënimi më 9 prill. Një akuzë për vrasje nga pakujdesia dënohet me burgim deri në 15 vjet.